Qeveria e vazhdoi gjendjen e krizës edhe për 30 ditë

30

Gjendja e krizës do të vazhdojë edhe për 30 ditë, kështu ka vendosur sot në seancën e 61-të me radhë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Bëhet fjalë për gjendjen e krizës e cila, sipas zgjidhjeve ligjore, skadoi mbrëmë, pasi Kuvendi nuk e miratoi ligjin për vazhdimin e saj.

Me këtë vendim, gjendja e krizës vazhdohet për 30 ditë, duke filluar prej sot, kjo për shkak të rrezikut të lartë nga rritja e emigrantëve të tranzitojnë në vendin tonë dhe për mbrojtje të shëndetit publik nga migrimi ilegal në kushte të pandemisë së Covid-19.

“Me këtë vendim, qeveria solli përfundim që të njoftohet presidenti i shtetit dhe Kuvendi, dhe përfundoi që t’i propozojë presidentit të sjellë vendim për pjesëmarrje të një pjesë të pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë së Veriut në ballafaqimin me gjendjen e krizës”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Qeverisë.

Gjatë ditës, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka tërhequr prapa ushtrinë e cila ishte angazhuar në terren për të luftuar krizën me emigrantët.

Kjo, siç sqarojnë nga Kabineti i presidentit, vjen pasi dje Kuvendi nuk e ka miratuar Ligjin për vazhdim të gjendjes së krizës.