Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2026 u shqyrtua në seancën e përbashkët të Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime. Në emër të Komisionit Evropian, gjetjet e raportit i prezantoi ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas. Ai vlerësoi përparimin në fusha të caktuara, si digjitalizimi, harmonizimi i legjislacionit, reformat, por edhe politika e jashtme. Megjithatë, edhe një herë e theksoi kushtin kryesor për hapjen e negociatave të anëtarësimit.“Siç e dini, faza e ardhshme e negociatave të anëtarësimit varet nga hapat për të cilët jemi marrë vesh në të kaluarën. Së pari, ndryshimet kushtetuese, së dyti, marrëveshja për administratën publike dhe reforma e saj, por edhe reforma dhe udhëzimet në gjyqësor, si dhe planet e veprimit që vijnë së bashku me to. Të gjitha së bashku do të mundësojnë hapjen e kapitullit 1”, tha Mihalis Rokas.Në seancë ishte e pranishme edhe presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, e cila përshëndeti nismat në BE dhe qëndrimin se çështjet dypalëshe që nuk kanë të bëjnë me kriteret e anëtarësimit, të mos përfshihen në negociata.
“Qëllimi ynë mbetet i njëjtë, anëtarësimi i plotë në BE. Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë trajtim të veçantë, nuk kërkojmë standarde më të ulëta. Kërkojmë zbatim të qëndrueshëm të rregullave, parimeve dhe vlerave evropiane, barazi, siguri juridike dhe anëtarësim të bazuar në merita”, tha Gordana Siljanovska Davkova.Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut.
“Raporti thekson qartë gjithashtu se nuk ka përparim në lidhje me ndryshimet kushtetuese të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit të vitit 2022. Kjo mbetet një sfidë politike dhe institucionale që nuk mund të injorohet. Çështjet e hapura duhet t’i zgjidhim përmes një dialogu serioz, duke respektuar detyrimet evropiane, procedurat demokratike dhe shqetësimet legjitime të qytetarëve”, deklaroi Bekim Sali.
