Bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane ka shkaktuar probleme të mëdha në transportin e mallrave, duke detyruar një pjesë të konsiderueshme të tregtisë të zhvendoset drejt rrugëve tokësore.
Rreth 1.200 kamionë janë bllokuar në një radhë prej 42 kilometrash në pikën kufitare Yalama, mes Kazakistanit dhe Uzbekistanit, një nga korridoret e rëndësishme për transportin e mallrave drejt Iranit.
Sipas Organizatës së Zhvillimit të Tregtisë së Iranit, numri i kamionëve në një pikë kufitare është rritur nga 200 në rreth 1.200. Probleme të ngjashme raportohen edhe në pikën kufitare Bazargan, mes Turqisë dhe Iranit, ku pritjet mund të zgjasin deri në 24 ditë.
Zhvendosja e transportit nga deti në tokë ka sjellë edhe rritje të ndjeshme të kostove. Sipas Dhomës së Tregtisë Iran-Kinë, kostoja e transportimit të një kontejneri është rritur nga 3 mijë në 12 mijë dollarë.
Vonesat po ndikojnë edhe në furnizimin e tregut iranian, veçanërisht me produkte ushqimore që prishen shpejt.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka krijuar Task Forcën “Porta e Hekurt”, e cila synon të pengojë transportin e armëve, teknologjisë me përdorim të dyfishtë dhe materialeve që u nënshtrohen sanksioneve përmes kufijve tokësorë të Iranit dhe Detit Kaspik.
Sipas raportimeve, Uashingtoni po ushtron presion edhe ndaj vendeve fqinje të Iranit për të kufizuar kalimin e mallrave drejt territorit iranian.
