Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka paralajmëruar se do të bllokojë propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke theksuar se kundërshtimi i tij nuk bëhet për arsye politike apo personale, por për shkak të rëndësisë që ky ligj ka për të ardhmen e gjeneratave të ardhshme.
Gjatë debatit për Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Sela tha se u ka bërë thirrje trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të BE-së që ta analizojnë në thelb propozim-ligjin e Qeverisë.Përsërita qëndrimin se do ta bllokojmë, jo për inate, por sepse ai ligj projekton ardhmërinë e brezave që vijnë pas!”, deklaroi Sela.
Ai shprehu shqetësim për mënyrën se si Raporti i Progresit trajton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar se raportimi i përgjithshëm nuk pasqyron, sipas tij, problemet dhe shkeljet që ndodhin në praktikë.Është shumë shqetësuese kur segmentet më të rëndësishme dhe kryefjala e politikës të këtyre dy vite e gjysmë, por edhe më herët, është shkelja dhe çmontimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe në raport-progresin e BE-së të merret vetëm një fjali dhe ku thuhet që ka vazhduar implementimi i Marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh ai.
Sela pretendoi se parimet e Marrëveshjes së Ohrit nuk po respektohen në konkurset dhe procedurat e punësimit, duke përmendur edhe mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe, siç tha, tjetërsimin e shtyllave kryesore të kësaj marrëveshjeje.
Duke iu referuar deklarimeve të ambasadorit të BE-së, Rokas, për ligjet e bllokuara në Parlament, Sela tha se i kishte sugjeruar përfaqësueses së tij që të bëhej një analizë e thelluar e propozim-Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, veçanërisht për shkak të mungesës së mekanizmit të Badinterit.
“Po, do të bllokohet dhe jo për shkak të inateve, por sepse ne e duam jetën si gjithë të tjerët, e duam të ardhmen si gjithë të tjerët”, theksoi Sela.
Ai e cilësoi këtë ligj si një akt me ndikim afatgjatë në të ardhmen e qytetarëve, duke nënvizuar se pasojat e tij do të prekin edhe brezat që vijnë.
“Është ligj që projekton ardhmërinë e fëmijës tim. Është ligj që projekton ardhmërinë e fëmijëve tanë dhe të fëmijëve që ende nuk kanë lindur. Është ligj që projekton ardhmërinë e fëmijëve të fëmijëve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike”, deklaroi kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela.
