Kryeministri pretendon se Qeveria ka shumicë të qëndrueshme prej 61 deputetësh dhe hodhi poshtë spekulimet për një marrëveshje me BDI-në lidhur me kthimin e Artan Grubit.
Kryeministri Hristijan Mickoski i bëri thirrje opozitës së bashkuar që të paraqesë iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit, nëse vërtet dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke porositur se shumica qeverisëse është e gatshme ta mbështesë një iniciativë të tillë.
Gjatë një paraqitjeje televizive, kryeministri theksoi se Qeveria po përgatitet për zgjedhjet e rregullta parlamentare në pranverën e vitit 2028, por se nuk do t’i shmanget përballjes së parakohshme me qytetarët.
„Ne kemi zgjedhje të rregullta në pranverën e vitit 2028, por nëse opozita e bashkuar paraqet ndonjë iniciativë, ne jemi të gatshëm ta mbështesim atë”, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se rruga drejt zgjedhjeve të parakohshme është e thjeshtë dhe se opozita duhet të paraqesë iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit, të cilën më pas do ta mbështesë shumica qeverisëse.
„Është shumë e thjeshtë. Nëse duan zgjedhje të parakohshme, opozita e bashkuar le të paraqesë iniciativë për shpërndarjen e Parlamentit, ne do ta mbështesim dhe do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se Qeveria po funksionon sikur zgjedhjet e rregullta parlamentare të jenë në pranverën e vitit 2028, duke hedhur poshtë spekulimet për skenarë të mundshëm politikë dhe ndryshime në koalicionin qeverisës.
Duke iu referuar paralajmërimeve të Maksim Dimitrievskit lidhur me mundësinë e një vendimi ndryshe për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mickoski tha se nuk ka arsye të spekulohet për stabilitetin e Qeverisë.
„Mos kërkoni teori konspirative, skenarë, se ky do të largohet… Edhe nëse largohet Maksim Dimitrievski, Qeveria ka 61 deputetë dhe madje edhe më shumë”, tha Mickoski.
Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet për një marrëveshje të mundshme me BDI-në, që lidhet me kthimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi.
„Është qesharake të më pyesni nëse ekziston ndonjë marrëveshje me BDI-në lidhur me kthimin e Artan Grubit. Ose nuk më njihni mjaftueshëm, ose nuk e dini se si funksionoj”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se me partnerin e koalicionit VLEN kanë koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe të rregullt.
