15.7 C
Tetovo
E hënë, 29 Prill, 2024
BallinaLajmeNë Pollog, 132 raste të dhunës në familje

Në Pollog, 132 raste të dhunës në familje

Dhuna në familje gjithnjë është prezente në rajonin e Pollogut. Kryesisht, dominon dhuna e ushtruar nga ana e meshkujve karshi femrave, respektivisht burrat janë ata që kryejnë më shumë raste të dhunës duke ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre. Nga policia njoftojnë se gjatë vitit të kaluar në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, respektivisht në Tetovë dhe Gostivar janë regjistruar gjithsej 132 vepra penale të lidhura me dhunën në familje.

Prej tyre, dominon Tetova me 72 raste të regjistruara karshi Gostivarit ku janë shënuar 60 raste të dhunës në familje. Sipas policisë, gjatë vitit të kaluar 21 vepra janë regjistruar më pak krahasuar me vitin paraprak. Më shumë se gjysma e këtyre veprave përfshinë lëndime trupore, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Policia thotë se pjesa më e madhe e këtyre veprave janë zbardhur.

“Në veprat e vitit të kaluar janë përfshirë gjithsej 131 autorë, përkatësisht janë kallëzuar penalisht dhe numri më i madh i tyre janë zbardhur plotësisht dhe plotësuar me 113 kallëzime penale. Në mesin e autorëve, përsëri janë më të shumtët meshkujt 122, kryesisht bashkëshortë, ish-bashkëshortë, bashkëshortë të pakurorëzuar, baballarë, djem e të tjerë, si dhe janë regjistruar 9 dhunuese femra të këtij lloji dhune”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Viktimë e dhunës në familje gjatë vitit të kaluar ishin kryesisht gjinia femërore, prindërit dhe anëtarë të tjerë të familjes.

“Numri i ‘viktimave’ të dhunës në familje gjatë kësaj periudhe ishte 130, nga të cilat 106 ishin gra,bashkëshorte, ish, bashkëjetuese, nëna, motra, si dhe 24 burra, kryesisht baballarë dhe djem. Arsyet më të shpeshta për këtë lloj dhune, sipas njohurive të mëparshme dhe përvojës profesionale të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, janë çrregullimet nervore, veset e ndryshme, e mbi të gjitha alkooli, droga e të tjera”, thotë Rexhepi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments