Kjo shifër është rezultat i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të shkurtit në Kodin Penal, me të cilat u mundësua konfiskimi i automjetit në rast të drejtimit me mbi 1,5 promilë alkool, organizimit të garave, drejtimit pa provim të kaluar dhe veprave të tjera.
Nga 1 shkurti deri më 30 tetor të këtij viti, punonjësit e policisë kanë konfiskuar përkohësisht gjithsej 2.098 mjete motorike në lidhje me veprën penale “drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme për “360 shkallë”. Kjo shifër është rezultat i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të shkurtit në Kodin Penal, me të cilat u mundësua konfiskimi i automjetit në rast të drejtimit me mbi 1,5 promilë alkool, organizimit të garave, drejtimit pa provim të kaluar dhe veprave të tjera që mund t’i lexoni në dispozitat ligjore më poshtë.
Drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik
Neni 297-a
(1) Pjesëmarrësi në trafikun publik që nuk respekton rregullat e sigurisë në trafik dhe me këtë rrezikon trafikun publik duke drejtuar në mënyrë të pakujdesshme mjetin motorik me koncentrim alkooli në gjak mbi 1,5 g/kg, me përdorim droge, substancash psikotrope ose prekursorësh, duke vozitur në drejtim të kundërt në rrugë publike ku korsië janë të ndara fizikisht njëra nga tjetra ose në autostradë, duke parakaluar kolonë automjetesh në vend të paparashikueshëm ose duke vozitur me shpejtësi që e tejkalon të lejuarën me të paktën 50 km/orë në vendbanim ose me të paktën 70 km/orë jashtë vendbanimit, dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet dhe me gjobë.
(2) Me dënimin nga paragrafi (1) i këtij neni dënohet edhe ai që organizon, merr pjesë ose në ndonjë mënyrë tjetër mundëson gara të ndaluara me automjete, si dhe pjesëmarrësi në trafikun publik që drejton mjet motorik pa provim të kaluar të patentës ose nëse i është shqiptuar sanksioni i ndalimit të drejtimit të mjetit motorik që është ende në fuqi në momentin e kryerjes së veprës, ose sanksioni i ndërprerjes së vlefshmërisë së patentës, pa pasur patentë të re të vlefëshme.
Megjithatë, konfiskimi masiv i përkohshëm i automjeteve ka hapur probleme serioze praktike dhe juridike në terren. Automjetet e konfiskuara nga policia me urdhër të prokurorit muaj me radhë qëndrojnë të parkuara në lokacione që Ministria e Punëve të Brendshme nuk i zbulon. Avokati Aleksandar Tumanovski, në një deklaratë për “360 shkallë”, thotë se automjeti i klientit të tij është ruajtur në një parking të stacionit policor, i ekspozuar ndaj kushteve atmosferike. Procedura për t’ia kthyer automjetin është zvarritur pa nevojë, pasi nuk ia kishin konfiskuar në gjykatë.
Aleksandar Tumanovski, avokat
Këtu e shoh problemin mes vetë institucioneve – policisë dhe prokurorisë. Sepse kur nuk konfiskohen sendet, prokurori që ka dhënë urdhër gojor duhet të japë edhe urdhër për policinë që, kur automjeti nuk është objekt konfiskimi, t’ua kthejë pronarëve. Sepse, megjithatë, këtu prekim pronësinë që është e paprekshme dhe bëhet fjalë për probleme që sapo do të dalin nga këto procedura, sepse nuk janë menduar kur janë miratuar këto dispozita ligjore”,
thotë avokati Aleksandar Tumanovski për “360 shkallë”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme sigurojnë se automjetet ruhen në lokacione të siguruara brenda njësive organizative përkatëse dhe se kapacitetet menaxhohen vazhdimisht, ndërsa kthimi bëhet individualisht sipas vendimit të organeve gjyqësore.
Pritet që presioni mbi depot e policisë së shpejti të ulet. Kuvendi tashmë ka miratuar ndryshime ligjore më të buta me të cilat hiqet konfiskimi i automjeteve vetëm për drejtim pa provim të kaluar, që do të thotë se një pjesë e këtyre mbi dy mijë automjeteve për të cilat nuk ka vendime të formës së prerë me gjasë do t’u kthehen qytetarëve.
Automjetet e konfiskuara për “drejtim të pakujdesshëm” shkojnë para Gjykatës Supreme – kërkohet praktikë e unifikuar.
