12.9 C
Tetovo
E hënë, 6 Maj, 2024
BallinaLajmeMinistri i Financave të RMV-së Fatmir Besimi tregon detajet rreth paketës së...

Ministri i Financave të RMV-së Fatmir Besimi tregon detajet rreth paketës së katërt ekonomike ( video)

Ministri i Financave në Maqedoni të Veriut Fatmir Besimi, sqaroi në edicionin e Bruna Çifligut paketën e katërt ekonomike që është menduar për të përkrahur qytetarët e prekur nga kriza e pandemisë së COVID-19.

“Janë tre kategori, qytetarët, aspekti shëndetësor dhe social i tyre, kategoria e dytë janë ndërmarrjet dhe ruajtja e vendeve të punës, dhe kategoria e tretë ka të bëjë me ruajtjen e stabilitetit makro-financiar, nga 470 milionë euro 170 milionë janë masa që kanë ndikim direkt në buxhetet vendore, do të rritet deficiti buxhetor, një pjesë do të financohet nga borxh i jashtëm, rishikim apo rialokim të fondeve ndërsa pjesa tjetër me borxh publik,” – u shpreh Besimi teksa e cilësoi si paketën më të madhe ekonomike të propozuar dhe aplikuar deri më sot për pandeminë.

Qeveria synon që brenda kësaj jave të ketë përfunduar procedurat dhe javën tjetër rishikimi i buxhetit të kalojë për miratim në parlament.

Besimi tregoi se 310 milionë euro janë kryesisht kredi nga Banka Evropiane për Investim dhe Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut dhe do të shkojë për kredi me interesa të ulëta për ndërmarrjet.

Po kështu 31 milionë euro parashikohet të jenë grante për femrat dhe të rinjtë në biznes, që sipas Besimit do të rrisin konkurrencën dhe frymën e re në biznes.

“Faktikisht këto janë një pjesë e masave, do të ndihmohen financiarisht ndërmarrjet që humbën punën, punonjësit që humbën vendin e punës, studentët por dhe familjet në nevojë,” – u shpreh Besimi, i cili tha se paralelisht qeveria po punon për të hartuar buxhetin për vitin 2021.

Kriza prej pandemisë përshkruhet si më serioze se sa ajo e krizës ekonomike të rreth dhjetë viteve më parë dhe kjo sipas ministrit Besimi kërkon angazhim më të madh për të parandaluar efektet afatgjata.

“Gjendja është mjaft më serioze, ndaj dhe paketa ekonomike e masave duhet të ishte më serioze. Shpresojmë që nuk do të arrihen projeksionet e institucioneve financiare që thonë se ekonomia do të bjerë me 5 për qind, dhe vitin e ardhshëm të kemi rritje ekonomike,” – tha ministri.

Pyetur rreth pretendimeve për abuzime dhe diferencime etnike në ndarjen e ndihmave ekonomike, Fatmir Besimi tha se “këto tema i takojnë të kaluarës” pasi “projektet synojnë zhvillim për të gjithë”.

“Ne mund të bëjmë më shumë për shqiptarët, por edhe për të tjerët më shumë, kjo falë bashkëpunimeve jo vetëm në qeveri, por edhe në rajon në mënyrë që të ecim përpara të gjithë,” – u shpreh ministri.

Maqedonia e Veriut raporton prej nisjes së pandemisë rreth 13 mijë raste me të infektuar, nga të cilët, 9,600 kanë mundur të shërohen ndërsa 550 nuk kanë mundur t’ia dalin mbanë.

Vendi u detyrua të rishikojë disa herë masat anti-Covid, kjo pasi gjatë muajit korrik zhvilloi edhe zgjedhjet parlamentare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments