Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, priti sot për takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Ambasadorin Kristof Kamp, në kuadër të vizitë së tij zyrtare në Shkup.
Ministri e falënderoi ambasadorin për mbështetjen të cilën zyra e tij dhe Misioni i OSBE-së në Shkup po japin për përpilimin e Strategjisë së re për ndërkulturalizmin dhe kohezionin shoqëror, duke e siguruar se ky proces vazhdon të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
Ai po ashtu theksoi se Maqedonia e Veriut i njeh grupet etnike si komunitete me status kushtetues dhe të drejta të barabarta, por që kohezioni shoqëror duhet kultivuar në një fazë të re të bashkëpunimit përtej menaxhimit të dallimeve e tensioneve të mundshme ndëretnike.
Ministri dhe ambasadori Kamp u pajtuan se, megjithëse shtetet kanë specifikat e tyre, praktikat e mira ndërkombëtare mund të ndihmojnë në tejkalimin e dallimeve midis komuniteteve të ndryshme si dhe t’u japin komunave një rol më të theksuar në zbatimin e strategjisë dhe masave për komunikim të shtuar ndëretnik.
Ministri Ferati i njoftoi përfaqësuesit e OSBE-së për prioritetet e strategjisë së re, sfidat e implementimit dhe u shpreh se në fokus të ministrisë janë kryesisht fusha e arsimit dhe puna me fëmijët e moshave shkollore si dhe me të rinjtë në përgjithësi, me qëllim të krijimit të hapësirave të përbashkëta për bashkëveprim dhe aktivitete të përbashkëta, pjesa më e madhe e të cilave nuk kërkon mjete të majme financiare, por mbi të gjitha vullnet të mirë dhe qasje pozitive.


