www.telegrami.mk
22 Nëntori nuk është pronë e asnjë partie, por duket se edhe festa e alfabetit rrezikon të shndërrohet në një provim të unitetit politik shqiptar.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të zbarkojë më 22 nëntor në Manastir, në 118-vjetorin e Kongresit që i dha gjuhës shqipe alfabetin e përbashkët. Sipas raportimeve, përveç vizitës përkujtimore, ai pritet të zhvillojë edhe takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Por, përtej fotografive, fjalimeve dhe përqafimeve protokollare, lind një pyetje me interes politik: A do ta festojnë Rama dhe VLEN-i Ditën e Alfabetit bashkë, apo do të kemi dy manifestime paralele, secili me skenën, kamerat dhe protagonizmin e vet?
Sepse Manastiri i vitit 1908 ishte vendi ku shqiptarët arritën të kapërcejnë dallimet dhe të bashkohen rreth një çështjeje madhore kombëtare. Ndërsa Manastiri i vitit 2026 rrezikon të bëhet skenë ku secili kërkon të dëshmojë se është më afër alfabetit, historisë dhe simbolikës kombëtare.
Vizita e Ramës vjen në një moment kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe, provimi i jurisprudencës në shqip dhe pozita institucionale e shqiptarëve janë rikthyer në debat. Pikërisht për këtë arsye, vizita nuk mund të trajtohet vetëm si një ceremoni kulturore.
Nëse Rama vjen për të nderuar Kongresin e Manastirit, atëherë është legjitime të pritet që mesazhi i tij të mos kufizohet vetëm te historia, por të përfshijë edhe realitetin e sotëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, VLEN-i, si pjesë e pushtetit, do të duhej të tregojë se si i sheh dhe si i trajton çështjet që lidhen me gjuhën shqipe dhe barazinë institucionale. Nuk mjafton të jesh në fotografi pranë kryeministrit të Shqipërisë, nëse problemet që shqetësojnë qytetarët mbeten në pritje të zgjidhjes.
Natyrisht, ende nuk është konfirmuar nëse Rama dhe VLEN-i do të organizojnë një manifestim të përbashkët apo do të marrin pjesë në aktivitete të ndara. Por, cilido qoftë protokolli, pyetja mbetet: çfarë mesazhi do t’u dërgohet shqiptarëve?
Një gjë duhet të jetë e qartë: Kongresi i Manastirit nuk u mbajt për të krijuar alfabetin e partive politike, por alfabetin e një kombi.
Do të ishte ironike që njerëzit e vitit 1908, të cilët arritën të bashkoheshin për një alfabet, të na lënë sot një mësim uniteti, ndërsa politikanët e vitit 2026 të mos arrijnë të bashkohen as për një ceremoni përkujtimore.
Dhe nëse për 22 Nëntor duhet të ketë dy skena, dy protokolle e dy fotografi familjare politike, të paktën le të mos harrohet se alfabeti është vetëm një, ashtu siç është edhe historia që përkujtohet në Manastir.
Sepse shkronjat janë të përbashkëta, por përgjegjësia politike nuk mund të ndahet me shkronja të vogla...www.telegrami.mk
Mesut Shabani


