9.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeASH-AAA kritikon Dardhishtën: Tenderin prej 480 mijë euro ia dha birit të...

ASH-AAA kritikon Dardhishtën: Tenderin prej 480 mijë euro ia dha birit të ish funksionarit të BDI-së

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë dërguar sot kritika deri te drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Bujar Dardhishta.

Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani në konferencë për media tha se, ende pa përfunduar debatet për rastin e ish sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, një aferë e përmasave të atij rasti, siç e quajnë ata, “korruptiv”, ka ndodhur edhe në Drejtorinë e Librave Amë.

Thonë, se Dardhishta ka ndarë tender prej 480 mijë eurove për digjitalizimin e librave amë, birit të ish funksionarit të BDI-së pa ndonjë kriter dhe duke diskualifikuar aplikantët tjerë.

“Siç u raportua në media, në emër të digjitalizimit të librave amë, aty është realizuar një tender në vlerë prej afër gjysmë milionë euro (më saktë 480.000 euro), të cilin e ka fituar ndërmarrja “Nova inv” – pronë e të birit të një ish funksionari të BDI-së dhe aktualisht ambasador në një vend evropian, që është krijuar para tre muajve ose vetëm një muaj para se të shpallet furnizimi publik. Dyshimi mbetet edhe te kriteret e vendosura, si ndryshimi i kushteve themelore, që në vend të përvojës së ndërmarrjes dhe stabilitetit të saj financiar, janë vendosur kualifikimet e personelit dhe kjo, si duket, është bërë me qëllim që atë ta fitojë ndërmarrja përkatëse, madje duke i diskualifikuar aplikuesit e tjerë ose duke pamundësuar aplikime të tjera” deklaroi Murtezani.

Ai kërkoi nga Komisioni Anti-korrupsion të hetojë këtë rast, si dhe Prokuroria Themelore Publike të veprojë përkitazi me këtë lëndë.

Në fund Murtezani tha, se “Qeveria edhe në kushte të krizës ekonomike dhe të pandemisë, synon të vjedhë para publike, nuk meriton të vazhdojë të qeverisë”.

“Prandaj, një shumicë e re, një qeveri me bazë të gjerë ose një qeveri ekspertësh mund të ishte shpëtimi nga kjo gjendje”, tha në fund Murtezani.

Drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Bujar Dardhishta ka hedhur poshtë si të pavërteta akuzat e koalicionit ASH-AAA për tenderin për digjitalizimin e librave amë.

Thotë, se tenderi ka qenë i përmasave ndërkombëtare, ndërkaq ka njoftuar, se procedura ka qenë transparente.

“I hedhim poshtë si të pavërteta dhe tendencioze akuzat në lidhje me furnizimin publik për digjitalizimin e librave amë. Së pari, duam t’ju informojmë se furnizimi publik ka qenë ndërkombëtarisht dhe i publikuar në ueb faqen ted.europra.eu dhe të gjitha procedurat e departamentit për furnizime publike ka qenë transparente dhe ligjore. Digjitalizimi dhe skenimi i të dhënave nga librat amë është prioritet i yni dhe i Qeverisë dhe si drejtor, dhe komfor planit strategjik të Qeverisë deri në vitin 2023 duhet të digjitalizohen të gjitha të dhënat nga librat amë”, tha Dardhishta, transmeton TV21./TV21

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments