Derisa për protestën e studentëve ku u kërkua që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov del me reagime duke thënë se “gjuha maqedonase nuk është pengesë, por detyrim, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”, kryeministri Mickoski dhe krerët e VLEN-it tashmë sigurojnë se do të gjendet zgjidhje për këtë çështje.“Ajo që ne si Qeveri për momentin po e punojmë është që të sigurohet zgjidhje e përhershme me të cilën ky por edhe probleme të tjera që i kemi nga e kaluara do të zgjidhen. E dënoj sjelljen e opozitares Bashkimi Demokratik për Integrim, sepse kanë pasur 20 vjet kohë t’i zgjidhin këto çështje, por nuk bënë asgjë. Po absolutisht, çdo zgjidhje si ligj do të dërgohet në Komisionin e Venecias.
-Edhe kjo? -Absolutisht po”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër. Se zgjidhja ligjore do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias e konfirmon edhe bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami, duke thënë se përvoja me ligjin për përdorimin e gjuhëve i bën ta mendojnë seriozisht që çdo zgjidhje ligjore për të drejtat e komuniteteve duhet të vlerësohet edhe nga Venecia.
“Unë kam thënë se brenda qershorit do të nisë procedura për plotësim të ligjit të jurisprudencës dhe që besojmë se në kuadër të asaj që e ka thënë edhe zotëri Mexhiti, brenda tre muajve do të kemi një rezultat përfundimtar dhe një zgjidhje ligjore”, u shpreh Bilall Kasami nga VLEN.Për dallim nga deklaratat optimiste të parterëve qeverisës VMRO-VLEN për zgjidhje, retorika e ministrit të drejtësisë Fillkov dje ishte shumë më e ashpër. Shkruante madje se “përpjekjet që detyrimi ligjor për njohjen e gjuhës maqedonase të paraqitet si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm me opinionin dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues”.
“Gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe themel i sistemit institucional dhe juridik. Është e palejueshme që tema të ndjeshme që prekin drejtpërdrejt sistemin juridik të përdoren për mbledhjen e pikëve politike ose për krijimin e tensioneve ndëretnike. Provimi i jurisprudencës zbatohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike apo presioneve nga rruga”, tha Igor Fillkov, ministër i Drejtësisë.
I pyetur për këtë, Kasami tha se Fillkovi po bën politikë që do ta arsyetonin heqjen e tij gjatë rikonstruimit të qeverisë.
“Edhe në vigjilje të ndryshimeve qeveritare, fatkeqësisht zoti Fillkov po e ndjej që më shumë bën politikë, do të kisha thënë për promovimin e tij dhe eventualisht për të arsyetuar ndërrimin e tij, sesa një politikë si ministër që duhet të përfaqësojë gjithë qytetarët, për më tepër që nëse qeveria dhe parlamenti sjellin ligj zoti Fillkov dhe kushdo qoftë tjetër duhet ta respektojë atë ligj”, shtoi Bilall Kasami nga VLEN.
Përndryshe Fillkov në reagimin e djeshëm tha po ashtu se Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional të argumentuar, por shtoi se nuk do të lejojë zhvlerësimin e sistemit gjyqësor, as minimin e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional.
