3.9 C
Tetovo
E premte, 19 Prill, 2024
BallinaLajmeU ankuan apo jo nxënësit për dëftesat?! Ademi thotë jo, UNSHM-ja: kemi...

U ankuan apo jo nxënësit për dëftesat?! Ademi thotë jo, UNSHM-ja: kemi dërguar dy e-maile, përgjigje s’ka!

Asnjë reagim nga institucionet për zbardhjen e dyshimeve se nxënësit po detyrohen të paguajnë për dëftesat të cilat duhet të jenë falas. TV21 ka dërguar pyetje te Inspektorati i Arsimit dhe Shkencës për të mësuar se a ka ndërmarrë ndonjë nismë për të hetuar rastin. Por nga atje pa përgjigje, edhe pse në prononcimet paraprake ata rekomanduan nxënësit që ankesat t’i dërgojnë në drejtorinë e shkollave.

Nismë për këtë problem nuk ka ndërmarrë as Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pasi siç tha ministri Arbër Ademi, ajo është përgjegjësi e Inspektoratit, ndërkaq deri te ky dikaster nuk ka pasur asnjë ankesë. “Zyrtarisht, formalisht në adresën tonë, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk ka pasur ndonjë ankesë të tillë, megjithatë ashtu siç është njoftuar opinioni i gjerë, ashtu jam njoftuar edhe unë dhe dënojmë ashpër çfarëdo lloj veprimi të tillë”, deklaroi Ademi.

Publikisht për dëftesat ditë më parë kishin reaguar edhe nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme. E pyetëm kryetarin, Blendi Hodai se ankesat a kanë qenë vetëm në formë të kumtesës apo janë dërguar edhe në institucione përkatëse? “Ne reagimin që e kemi pasur e kemi dërguar edhe te autoritetet shëndetësore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, më datë 16 qershor ne kemi dërguar e-mail deri të Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por përvoja jonë në të kaluarën ka treguar se ata shumë pak i lexojnë reagimet e tona apo problemet të cilat i kanë nxënësit”, deklaroi Hodai.

Ankesa po pret edhe Avokati i Popullit. Pas kronikave në media, ky institucion ka inkurajuar nxënësit që këto raste t’i paraqesin te ata që më pas t’i ankimojnë në institucionet arsimore. “Në përputhje me rregullativën që e rregullon të drejtën për arsimim çdo fëmijë, ka të drejtë që pa para dhe me cilësi të edukohet dhe shkollohet, gjegjësisht të drejtë për shkollimin e mesëm që është i detyrueshëm për çdo qytetar, nën kushte të njëjta. Përskaj kësaj, shkollimi i mesëm në shkollat publike është falas”, thonë nga Avokati i Popullit.

Inspektorati në një prononcim paraprak për TV21 tha së nxënësit ankesat duhet t’i dërgojnë në drejtorinë e shkollës, por Hodai thotë se kjo do ta pengojë më shumë zgjidhjen e problemit.

“Problemi mbetet te udhëheqësia e shkollës dhe nuk ndërmerret asnjë masë për ta zgjidhur problemin”, deklaroi, Hodai.

Përndryshe TV21 ditë më parë njoftoi se ka dyshime se arsimtarët e shkollave fillore dhe të mesme kërkojnë nga nxënësit para për t’ua plotësuar dëftesat me kompjuter. Pagesa ishte nga 50 deri në 100 denarë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments