Mungesa e karrotrecit, e njohur si merimanga për më shumë se tre muaj në qytetin e Tetovës ka bërë që të shtohet numri i makinave që parkohen vend e pa vend. Sipas Sektorit të Punëve të Brendshme, për periudhën nga janari e deri ditën e sotme, janë ndërmarrë rreth 2500 masa ndaj vozitësve që kanë parkuar makinat gabimisht. Sipas policisë mungesa e shërbimit të merimangës vështirëson punën në terren.“Në kontrollet e rregullta dhe të intensifikuara pjesëtarë të SPB-së dhe stacioneve të tjera kanë shqiptuar rreth 2500 gjoba për llojet e ndryshme të keqparkimeve, kështu që, kryesisht problem i veçantë është edhe mungesa e mjetit special të merimangës e cila e rëndon edhe më shumë punën në terren, por si sektor mundohemi ti shfrytëzojmë rregullat e reja në komunikacion ku gjatë regjistrimit të automjeteve është i detyrueshëm edhe numri i telefonit me çka na ndihmon në gjetjen e personit që ka parkuar për afat më të gjatë makinën”, tha Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.
Komuna e Tetovës mungesën e shërbimit merimangë, e arsyetojnë me defektin që ka automjeti i komunës.
“Sipas informatave që morëm nga parkingu i Qytetit, merimanga e ndërmarrjes është në riparim dhe na treguan se brenda javës do të rregullohet. Ndërsa na treguan se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë plan për të siguruar edhe dy merimanga tjera që do jenë në shërbim të qytetit” ,deklaroi Besarta Ramadani. Zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Si pasojë e makinave të parkuara sidomos nëpër trotuare, kalimtarët janë të detyruar të ecin në mes të rrugës të. Tetova ka pasur deri para rreth katër muajsh, tre merimanga, dy nga të cilat ishin private por që me koncesion ishin të angazhuara nga komuna, por me skadimin e kontratës, qyteti mbeti pas asnjë.
