Paris, 21 prill – Për një vit, Republika e Maqedonisë së Veriut është ngjitur tre vende më lartë në Listën botërore të Lirisë së mediave për vitin 2020 që e përgatit Organizata joqeveritare Reporterët pa kufij, me seli në Paris. Nga vendi 95-të, vendi tani është renditur në vendin e 92-të me vlerësim mesatar prej 31,28 pikë, njofton korrespondenti i MIA-s, përcjell Koha.mk
Në pjesën për Maqedoninë e Veriut të titulluar “profesioni organizohet”, thuhet se Qeveria nuk ka ndryshuar ligjin për mediat publike, ndërsa reforma e transmetuesit publik është ndaluar”. Programet e saj u shërbejnë interesave të ish-partisë qeverisëse konservatore, VMRO-DPMNE. Qeveria aktuale ka hequr reklamat shtetërore në media, mjet i qeverisë së mëparshme për të kontrolluar mediat e cila shpesh ka çuar në “përvetësim të fondeve publike”.
Reporterët pa kufij, vëren se komunave u lejohet të reklamojnë në median lokale dhe me këtë të mbajnë mjetin për t’i kontrolluar ato. “Një tjetër vendim i rrezikshëm i qeverisë: blerja e reklamave në media për të njoftuar për arritjet e qeverisë”, thuhet në raportin, duke shtuar se Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e dënoi këtë praktikë.
“Duhet të theksohen dy arritje revolucionare në lidhje me vetë-rregullimin dhe standardet e punës së gazetarëve profesionistë: nga njëra anë krijimi i regjistrit për rrjetin e mediave profesionale që ka rreth 70 anëtarë nga Këshilli për etikën e mediave dhe SHGM. Kjo iniciativë promovon vetë-rregullimin e mediave duke i detyruar ata t’i përmbahen Kodit të gazetarëve dhe të publikojnë vendimet e Këshillit. Nga ana tjetër, nënshkrimi nga ana e Sindikatës, në bashkëpunim me SHGM-në dhe Këshillin e Kartës për kushtet e punës së gazetarëve me projekt-marrëveshje për punësim të drejtë të gazetarëve dhe punonjësve të mediave në mediat digjitale. Kjo Kartë gjithashtu merr përsipër të respektojë të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes”, nënvizon në raportin e saj Reporterët pa kufij.
Në fund, ata theksojnë se sulmet fizike ndaj gazetarëve u qetësuan. “Fatkeqësisht, kërcënimet dhe fyerjet tradicionale nga zyrtarë të lartë ndaj shtypit mbeten të fuqishme, ndërsa sulmet në internet janë në rritje”, thuhet në raport.
Sipas Indeksit të Lirisë së Mediave nga fqinjët para Maqedonisë së Veriut janë, Greqia që renditet në vendin e 65-të, Kosova në vendin 70-të dhe Shqipëria e 84-të. Më pas, është Serbia në vendin e 93-të, Mali i Zi e 105-ta dhe Bullgaria në vendin e 111-të.
E para në listë është Norvegjia e ndjekur nga Finlanda, Danimarka, Suedia dhe Holanda. Në vendin e fundit në vendin e 177 janë Kina, Eritrea dhe Turkmenistani