Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka reaguar pas verdiktit të dhënë sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës lidhur me rastin e liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka ndjekur me shqetësim të lartë verdiktin e dhënë sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës lidhur me rastin e liderëve të UÇK-së, z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi”, thuhet në reagim.
Sipas Ambasadës, ky vendim ka shkaktuar zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën dhe përbën një lajm thellësisht zhgënjyes për të gjithë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë, vetëmbrojtëse dhe të domosdoshme. Këtë fakt nuk e ndryshon askush, asnjëherë. Në këto momente, shprehim solidaritetin tonë me familjet e z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi”, thuhet më tej.
Në të njëjtën kohë, Ambasada e Republikës së Kosovës u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Hagë të ruajnë qetësinë dhe maturinë, të mos bien pre e provokimeve, të respektojnë rregullat dhe kushtet mbi të cilat është dhënë leja për protestën nga Komuna e Hagës, si dhe të respektojnë shtetin mik, Mbretërinë e Holandës.
“Dhuna nuk lejohet. Paqja, dinjiteti dhe respektimi i ligjit janë përgjegjësi e të gjithëve”, përfundon reagimi i Ambasadës së Kosovës në Hagë.
youtube.com/watch?v=-5Tf2wTRiMQ&time_continue=0&source_ve_path=NzY3NTg&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Flajmi.net%2F
