Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka mbajtur një konferencë për media, pasi Gjykata Speciale në Hagë ka shqiptuar dënimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ditën e sotme, Hamza e ka quajtur të zezë, të rëndë dhe ditë të turpit për drejtësinë ndërkombëtare.
“Aktgjykimi i sotëm ndaj tyre ka sjell dhimbje dhe zhgënjim të thellë për të gjithë ne. Një dhimbje dhe zhgënjim që nuk e kemi pritur, madje zemrat tona sot janë me ta dhe familjet e tyre të cilat për gati 6 vite e kanë bartur peshën e këtij procesi. Për të lënduar, të zhgënjyer, të mllefosur jemi edhe të gjithë ne qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarët në botë. Vendim i ishqiptuar sot, nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës por kundër popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se e kanë përcjellur këtë proces me besim se në fund drejtësia do të mbështetet vetëm në fakte, prova dhe përgjegjësi individuale por sipas tij sot nuk u pa drejtësi.
“Në Hagë sot u godit rëndë rezistenca e popullit tonë, u fye sakrifica e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës. Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe sepse atje u dënuan ata që jetën e tyre ia kushtuan lirisë që sot e gëzojmë të gjithë në Kosovë. Ata katër sot u dënuan për gjithçka që është propaganduar për luftën e UÇK-së dhe për evidenca rastesh që janë mbyllur nga UNMIK-u dhe EULEX-i gjatë dy dekadave të pasluftës”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se të katërt u dënuan sepse kanë mbrojtur luftën e UÇK-së nga faktorët e jashtëm të shtyrë nga regjimi serb për ta shuar rezistencën e shqiptarëve.
“Po ashtu, ai vendim mbështetet edhe në materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të UÇK-së. U dënuan ndër të tjera edhe pse ushtarë të UÇK-së kanë ndaluar serbë në zonat e UÇK-së gjatë luftës. Madje u dënuan edhe për rastet që Tribunali Ndërkombëtar i Hagës kishte shpallur pafajësinë më herët”, ka shtuar i pari i PDK-së.
Hamza kanë thënë se ky aktgjykim sot u shqiptua në Hagë, por historia e Kosovës është shkruar këtu me sakrificë, gjak për liri dhe nuk rishkruhet sot.
“Historia jonë është shkruar nga populli ynë që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra-mijëra qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe nga një aleancë historike me botën demokratike që në vitin 1999 i dha fund regresionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë. Ata të katër gjatë dy viteve të luftës ishin në koordinim me aleatët tanë dhe sot u dënuan për këto aleanca. Sot qytetarë të Kosovës, janë të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë i cili është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, padrejtësinë dhe shtetin e Kosovës. Nuk ka fat popujsh e shtetesh sesa fati i popullit e shtetit tonë me emrat e tyre. Prandaj sot, të dënuar jemi të gjithë si popull dhe si shtet”, ka shtuar ai.
Hamza ka thënë se sot nuk përfundon as historia e as beteja jonë për të vërtetën, procesi juridik sipas tij nuk ka përfunduar dhe fjala e fundit për drejtësinë nuk është thënë.
“Nuk është e njëjta gjë të provohet se gjatë luftës janë kryer krime dhe të provohet se katër individë kanë pasur të jëjtin qëllim kriminal për kryerjen e tyre. Për secilin prej të akuzuarve duhet të provohet jo vetëm pozita që kanë mbajtur, sepse pozita në një strukturë nuk mund të zëvendësoj provën e përgjegjësisë individuale. Gjatë këtij procesi janë dëgjuar dëshmi të rëndësishme për strukturën dhe funksionimin e UÇK-së”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se nëse gjatë viteve 98-99 kishin kontakte të drejtpërdrejta me UÇK-në përfshirë përfaqësues të lartë tamerikan dhe të NATO-s të cilët kanë dëshmuar për natyrën e decentralizuar të natyrës së saj dhe përkufizimit të komandës dhe kontrollit, këto dëshmi nuk e përcaktojnë vetvetiu rezultatin e një procesi zgjedhor por ato kërkojnë përgjigje.
“Si janë peshuar përballë konkluzionit se ekziston një qëllim i përbashkët kriminal që formulohej dhe zbatohej përmes strukturave të UÇK-së?
Si është përcaktuar autoriteti real i secilit të akuzuar dhe përgjegjësisë së tyre individuale?”, ka pyetur Hamza.
Ai ka thënë se çështja e dëshmitarëve kërkon vëmendje të veçantë.
“Vetë paneli ka folur për probleme serioze me dëshmitë e disa prej tyre, andaj duhet parë me rigorozitet se si janë vlerësuar deklaratat e ndryshme, si janë trajtuar kundërthëniet dhe me cilat dëshmi janë mbështetur konkluzionet vendimtare për fajësi. Në fund të gjitha këto çështje kthehen te një standard i vetëm, përtej dyshimit të arsyeshëm. Në të drejtën penale, nuk mjafton që një version i ngjarjes të jetë i mundshëm apo bindës se sa një tjetër. Kur një njeri dënohet me 13, 18 apo 25 vite burgim fajësia e tij individuale duhet të jetë e provuar përtej dyshimit të arsyeshëm”, ka shtuar ai.
Hamza ka thënë se presin që Apeli të shqyrtoj me saktësi konkluzionet mbi qëllimet e përbashkëta kriminale, mbi përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive dhe çdo çështje faktike apo juridike që mund të ketë ndikuar në gjykim. Sipas tij, e drejta e Apelit ekziston pikërisht që një aktgjykim me pasoja kaq të rënda t’i nënshtrohet edhe njëherë provës së ligjit e fakteve dhe standardeve më të larta të drejtësisë.
“PDK do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së, do të jetë në përkrahje të plotë të udhëheqësve të UÇK-së dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore që kanë të bëjnë me këtë proces”, ka shtuar Hamza.
