6.1 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeBotaQeveria e Kinës / 10 pyetje për të cilat SHBA duhet t’i...

Qeveria e Kinës / 10 pyetje për të cilat SHBA duhet t’i japë përgjigje botës

Që nga 20 janari, kur ShBA-ja raportoi pacientin e parë me koronavirus, e deri tani kanë kaluar 100 ditë. Numri i të prekurve në ShBA ka arritur në mbi 1.1 milion, duke u bërë vendi me numrin më të madh të të infektuarve dhe të vdekjeve në botë, thotë qeveria kineze në një publikim të gjatë të premten në rrjetin shtetëror të informacionit. Por politikanët amerikanë, vijon deklarata, nuk merren me punën e luftës kundër COVID-19, por me përbaltjen ndaj Kinës dhe sulmin ndaj OBSh-së. Në fakt kjo, jo vetëm nuk mund ta kalojë përgjegjësinë e tyre te të tjerët, por zbulon më tej dyshimet ndaj ShBA-së për sa i përket parandalimit dhe kontrollit të epidemisë. Lidhur me këtë ka dhjetë pyetje për të cilat qeveria amerikane është e detyruar t’i japë përgjigje botës.

1.Në lidhje me eksperimentin e modifikimit të virusit të gripit të shpendëve vitin e kaluar, pse ShBA-ja nuk njofton më përditësime?

Gazeta “Sience” raportoi në shkurt 2019 se autoritetet amerikane kanë miratuar në heshtje eksperimentin e modifikimit të virusit të gripit të shpendëve. Hulumtimi, që synon ta bëjë virusin H5N1 më të aftë për infektimin e gjitarëve, ishte i diskutueshëm dhe konsiderohej jashtëzakonisht i rrezikshëm. Disa ekspertë besojnë se modifikimi mund të rrisë rrezikun e transmetimit të virusit nga njeriu te njeriu.

Pyetja është se pse qeveria amerikane vendosi ta rinisë eksperimentin katër vjet pasi e ndali dhe pse nuk ka më përditësime lidhur me të.

2.Instituti i Kërkimeve Mjekësore për Sëmundjet Infektive i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (USAMRIID) ishte mbyllur më parë. Cila është e vërteta mbi këtë?

Revista “Global Biodefence” raportoi në prill që USAMRIID, institucioni dhe objekti kryesor i ushtrisë amerikane për kërkime biologjike, me seli në Fort-Detrik të shtetit të Merilandit, ka rifilluar funksionimin e plotë. Institucioni ishte urdhëruar të ndalonte studimin e agjentëve dhe toksinave të përzgjedhura biologjike (BSAT) korrikun e kaluar. Në mars, në uebsajtin e Shtëpisë së Bardhë gjendej një peticion që kërkonte sqarimin e mbylljes së USAMRIID. Duke pasur parasysh që këto çështje janë bërë një shqetësim parësor i publikut, cili është reagimi i qeverisë amerikane?

3.Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore i ShBA-së zhvilloi një skenar vitin e kaluar që ishte i ngjashëm me shpërthimin e COVID-19. A është kjo thjesht një rastësi?

Në mars, “New York Times” citoi një raport të marrë nga qeveria amerikane, sipas të cilit nga janari deri në gusht 2019, Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore vuri në jetë një skenar të quajtur “Infektimi ‘Crimson’”, që simuloi infektimin e trilluar të një grupi turistësh që po bënin vizitë në Kinë. Ata më pas u infektuan dhe fluturuan në vende të ndryshme, përfshirë ShBA-në.

Tetorin e kaluar, disa organizata amerikane zhvilluan një stërvitje pandemie të nivelit të lartë, të quajtur “Ngjarja 201”. Stërvitja simuloi një skenar në të cilin një virus i trilluar i quajtur CAPS, i cili shkaktonte simptoma më të rënda sesa SARS-i dhe transmetohej përmes rrugëve të frymëmarrjes si gripi i zakonshëm, shkaktoi një pandemi. Ashtu si për COVID-19, nuk kishte vaksinë për CAPS-in.

Duke pasur parasysh faktin se virusi i simuluar ngjan shumë me atë të COVID-19, a është kjo thjesht një rastësi? Një pyetje tjetër është që pse ShBA-ja nuk mori masa të mjaftueshme parandaluese në fazat e hershme të shpërthimit të koronavirusit, pasi kishte parashikuar një pandemi të ngjashme?

4.Zyrtarët amerikanë të zbulimit paralajmëruan për krizë koronavirusi qysh në nëntorin e kaluar. Pse paralajmërimi u injorua?

Në prill, sipas Korporatës Amerikane të Transmetimeve (ABC), u tha se qysh në fund të nëntorit 2019, zyrtarët amerikanë të zbulimit kishin paralajmëruar Agjencinë e Zbulimit të Mbrojtjes, Pentagonin dhe Shtëpinë e Bardhë se një sëmundje infektive po përhapej në Wuhan të Kinës.

Në nëntorin e kaluar, Qendra Kombëtare e Zbulimit Mjekësor e ShBA-së (NCMI) nxori një raport që detajonte pandeminë e koronavirusit, e cila u identifikua më vonë si “COVID-19”. Disa analistë besonin se shpërthimi në Wuhan mund të kthehej në një ngjarje katastrofike. Sipas “Washington Post”-it, në më shumë se dy muaj nga janari deri në shkurt, Trump mori paralajmërime intensive nga agjencitë amerikane të zbulimit në lidhje me koronavirusin. Pse qeveria amerikane e shpalli emergjencë kombëtare vetëm më 13 mars!

5.Ndër vdekjet e raportuara nga gripi në ShBA, a mund të sqarojë ShBA-ja se sa raste janë nga COVID-19?

6.Kur u shfaq për herë të parë koronavirusi i ri në ShBA? A filloi transmetimi i tij në lagje qytetesh, më shpejt sesa u raportua?

Një raport i fundit të prillit nga autoritetet vendore të shëndetësisë tregon që një grua 57-vjeçare nga konteja e Santa-Klarës të Kalifornisë vdiq nga COVID-19 më 6 shkurt, rreth 20 ditë më parë sesa data kur ShBA-ja njoftoi vdekjen e parë nga virusi.

Kur u shfaq për herë të parë koronavirusi i ri në ShBA? A filloi transmetimi i tij në lagje më shpejt sesa u raportua?

7.Si i siguroi ShBA-ja shtamet e virusit kaq shpejt për të filluar testimin e parë njerëzor të një vaksine kundër COVID-19?

“Wall Street Journal” raportoi më 16 mars se testimi i parë njerëzor i vaksinës eksperimentale të “Moderna Inc.” kundër COVID-19 kishte filluar tashmë. Ekspertët menjëherë shprehën dyshime në lidhje me shpejtësinë e prodhimit të vaksinës, duke thënë se kjo do të ishte e mundur, vetëm nëse ShBA-ja do t’i kishte marrë shtamet e virusit para shumë kohe. Pra, si e filloi ShBA-ja testimin e parë njerëzor të vaksinës kaq shpejt? Kur dhe si i mori shtamet e virusit?

8. Pse qeveria amerikane vazhdoi të minimizojë pandeminë, ndërsa zyrtarët e saj shitën me nxitim aksionet e veta?

9.Pse nuk lejohen ekspertët amerikanë të diskutojnë COVID-19 në publik?

“New York Times” raportoi se Shtëpia e Bardhë filloi forcimin e kontrollit për të gjitha mesazhet lidhur me koronavirusin nga zyrtarët e shëndetësisë më 27 shkurt, pasi zëvendëspresidenti Mike Pence filloi të drejtojë përpjekjet e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë së vendit.

Disa shkencëtarëve dhe zyrtarëve qeveritarë të shëndetësisë, duke përfshirë ekspertin kryesor të ShBA-së për sëmundjet infektive Anthony S. Fauci, u është kërkuar të bëjnë deklarata ose paraqitje publike në lidhje me COVID-19 vetëm pas konsultimit me zyrën e zëvendëspresidentit të ShBA-së.

Pse Shtetet e Bashkuara, të cilat predikojnë fjalën e lirë, nuk i lejojnë ekspertët dhe studiuesit të diskutojnë mbi koronavirusin e ri në publik? A do ShBA-ja të fshehë diçka apo ka frikë nga diçka?

10.Çfarë kërkimesh janë duke u zhvilluar në laboratorët biologjikë jashtë ShBA-së? Pse ShBA-ja i mban ato të fshehta?

Natalia Poklonskaya, nënkryetare e komisionit për punët e jashtme të Dumës Shtetërore të Rusisë, ka propozuar verifikimin e ligjshmërisë së laboratorëve biologjikë amerikanë në të gjithë botën, sipas agjencisë së lajmeve “Sputnik”.

Jo shumë kohë më parë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse shprehu shqetësimin për krijimin e një laboratori biologjik në vendet nga ish-Bashkimit Sovjetik.

Grigory Trofimchuk, një ekspert rus në fushën e punëve të brendshme e të jashtme dhe mbrojtjes kombëtare, tha se puna e këtyre laboratorëve biologjikë nuk iu zbulua kurrë botës së jashtme, dhe se ato kishin shkaktuar disa probleme, me shpërthime të sëmundjeve infektive të rrezikshme si fruthi në vendndodhjen e laboratorëve.

Çfarë hulumtimi është duke u bërë në këta laboratorë biologjikë? Pse ShBA-ja hesht në lidhje me funksionin, përdorimin dhe sigurinë e tyre?

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments