12.4 C
Tetovo
E mërkurë, 8 Maj, 2024
BallinaEkonomiPrej sot “çmim i garantuar” për lëngjet, ujin, birrën, frutat dhe perimet…

Prej sot “çmim i garantuar” për lëngjet, ujin, birrën, frutat dhe perimet…

Çmimi i garantuar, përveç produkteve ushqimore, prej sot do të vlejë edhe për pijet joalkoolike, ujin e gazuar dhe jo të gazuar dhe birrën.

Krahas këtij vendimi, dje Qeveria në seancë ka marrë vendim për uljen e marzheve për pemët dhe perimet.

Me këtë pritet që ulja e çmimit të jetë nga 10 deri në 30 për qind, transmeton Portalb.mk.

Vendimi për uljen e çmimeve, siç njoftoi dje pasdite kryeministri Dimitar Kovaçevski në një konferencë për media, do të publikohet sot në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hyjë në fuqi nga nesër.

Kovaçevski beson se ka kohë të mjaftueshme për të korrigjuar çmimet.

“Kur është fjala për rritjen e çmimeve, ato mund të rriten brenda natës, kështu që të njëjtën gjë mund të veprohet edhe për uljen e çmimeve”, tha Kovaçevski në konferencën për media në Qeveri.

Prodhuesit e pijeve joalkoolike dhe ujit, siç bëri me dije Kovaçevski duke i shpallur vendimet e sotme, me iniciativën e tyre iu bashkuan masës “çmimi i garantuar”.

Çmimet më të larta të këtyre produkteve, me përjashtim të pijeve energjetike, përcaktohen në nivelin e çmimeve që është aplikuar më 19 shtator, ndërsa shitësit me pakicë janë të detyruar t’i ndryshojnë çmimet e këtyre produkteve dhe t’i shënojnë me mbishkrimin “çmim i garantuar”.

“Çmimi i garantuar” për të gjitha këto produkte do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor.

Sa i përket pemëve dhe perimeve, dje është marrë vendim për përcaktimin e marzhit më të lartë tregtar (fitim).

Në tregtinë me shumicë përcaktohet në masën e përgjithshme deri në 10 për qind, ndërsa në tregtinë me pakicë në masën 15 për qind.

“Para nesh janë vendimet për uljen e detyrimeve të importit për perimet e freskëta, orizin, portokallet, limonët, mandarinat, si dhe uljen e tarifave doganore për produktet e qumështit me përmbajtje yndyre mbi 10 për qind. Dhe këto janë vendime që do të merren në ditët në vijim, do të shpallen dhe do të zbatohen në praktikë”, tha Kovaçevski.

Ai pret që këto masa të stabilizojnë inflacionin deri në fund të vitit.

“Këtë e ka treguar tashmë rritja e pagave në korrik të këtij viti, kur u tejkalua rritja e inflacionit. Me rritjen e pagave të shtatorit prej 10 për qind, si dhe rritjen lineare të pensioneve sipas metodologjisë së përcaktuar gjatë periudhës së kaluar, presim që inflacioni dyshifror të bjerë në 8 për qind, ndërsa ushqimet të arrijnë në 5 për qind”, tha Kovaçevski.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments