www.telegrami.mk
Mickoski dhe VMRO-DPMNE, sa ishin në opozitë, i akuzonin qeveritë e mëparshme se nuk dinin ta menaxhonin shtetin, as politikisht e as ekonomikisht. Premtonin se kishin njerëz, dije dhe aftësi për ta nxjerrë Maqedoninë e Veriut nga krizat dhe për ta vendosur në rrugën e zhvillimit ekonomik.
Por tani, kur janë në vitin e tretë të qeverisjes, duket se një pjesë e shpjegimeve të tyre për problemet ekonomike vazhdon të mbështetet te qeveritë e kaluara.
Mickoski paralajmëron se gjatë viteve 2027 dhe 2028 shtetit do t’i nevojiten rreth 5 miliardë euro për interesa, rifinancim të kredive të mëparshme dhe mbulimin e deficitit buxhetor. Madje, akuzon ish-pushtetarët se kanë ngarkuar me borxhe edhe gjeneratat që ende nuk kanë lindur.
Por këtu lind pyetja: Nëse ish-qeveritë nuk dinin ta menaxhonin shtetin dhe nëse Mickoski pretendonte se kishte aftësi për ta bërë këtë, ku është sot dallimi që premtohej?
Duhet kujtuar se buxheti i vitit 2024, i miratuar para ardhjes së VMRO-DPMNE-së në pushtet, ishte rreth 5.5 miliardë euro. Buxheti i vitit 2025 u rrit në rreth 6.5 miliardë euro, ndërsa ai i vitit 2026 është planifikuar në rreth 6.7 miliardë euro.
Pra, qeveria e sotme ka në dispozicion buxhete gjithnjë e më të mëdha. Kjo nuk do të thotë se borxhet e mëparshme zhduken apo se detyrimet financiare nuk ekzistojnë. Por as nuk mund të përdoret vazhdimisht e kaluara si shpjegim për çdo problem të së tashmes.
Një gjë është të kritikosh opozitën, ndërsa një gjë krejt tjetër është të dëshmosh me rezultate se di të qeverisësh më mirë.
Mickoski dikur thoshte se problemi ishte paaftësia e atyre që qeverisnin para tij. Tash, kur timoni i shtetit është në duart e tij, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: a ishte problemi vetëm te ish-qeveritarët, apo menaxhimi i shtetit është shumë më i ndërlikuar sesa premtohej në fushatë?
Sepse qytetarët nuk votuan për të dëgjuar pafundësisht historinë e borxheve të trashëguara. Votuan për të parë ndryshimin që iu premtua.
www.telegrami.mk
Mesut Shabani

