BallinaLajmeMostër edhe për Maqedoninë Perendimore/ Maqedonia Lindore do të ndërtojë stacionar rajonal...

Mostër edhe për Maqedoninë Perendimore/ Maqedonia Lindore do të ndërtojë stacionar rajonal të përbashkët për qentë endacakë

Kryetarët e komunave u dakorduan për një qendër të përbashkët rajonale për qentë endacakë.

Problemi me qentë endacakë nuk është vetëm i Shkupit. Situatë e ngjashme është edhe në qytetet e tjera të vendit. Komunat përpiqen t’i kapin dhe t’i strehojnë qentë, por problemi vazhdon – rrugët përsëri mbushen me qen endacakë.

Pikërisht për këtë arsye, kryetarët e komunave nga Rajoni Lindor janë dakorduar të ndërtojnë një stacionar rajonal të përbashkët, ndërsa lokacioni ku do të ndërtohet ende nuk është përcaktuar.

Qasja individuale e komunave nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara, ndaj tani po kërkohet një zgjidhje e përbashkët rajonale. Në mbledhjen e djeshme, kryetarët e komunave u dakorduan që së bashku të financojnë studimin e fizibilitetit dhe projektin themelor për stacionarin rajonal.

Për këtë fazë fillestare nevojiten rreth 5 milionë denarë. Shuma që do të paguajë secila komunë do të përcaktohet në bazë të numrit të banorëve.

Ndërkohë, po kërkohet edhe lokacioni ku do të ndërtohet stacionari.

Kryetari i Komunës së Karbinci-t propozoi një lokacion, ndërsa oferta kanë ardhur edhe nga komuna të tjera fqinje. Për këtë do të vendosin konsulentët tanë, përkatësisht projektuesit, se cili lokacion është më i përshtatshmi. Për ne është e rëndësishme të ndërtojmë një stacionar ku do të strehohen kafshët e braktisura”, deklaroi Toni Tonevski, kryetar i Rajonit Planor Lindor.

Modeli aktual, që bazohet në kapjen dhe trajtimin human të qenve përmes kompanive të specializuara, u kushton para komunave, por nuk e zgjidh problemin në mënyrë afatgjatë.

Për këtë arsye, Komuna e Probishtipit planifikon të subvencionojë sterilizimin dhe kastrimin e kafshëve shtëpiake, me qëllim parandalimin e shumimit të pakontrolluar dhe krijimit të kafshëve të reja endacake.

Këtë vit vendosëm të bëjmë edhe një hap tjetër drejt zgjidhjes së problemit me kafshët e braktisura: të stimulojmë të gjithë pronarët e kafshëve shtëpiake që t’i kastrojnë ato, duke i subvencionuar si komunë, së bashku me stacionet veterinare”, shtoi Tonevski.

Zgjidhje për problemin parashikohet edhe përmes projektligjit të ri për mirëqenien e kafshëve. Për mbajtje të papërgjegjshme, braktisje ose keqtrajtim të kafshëve shtëpiake parashikohen gjoba prej 400 deri në 500 euro, ndërsa në rast të keqtrajtimit dhe trajtimit mizor të kafshës, gjoba mund të arrijë deri në 5.000 euro.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments