www.telegrami.mk
Për muaj të tërë, qytetarëve iu servua narrativa se traseja e Korridorit 8 në drejtim të Tushemishtit përbënte rrezik për statusin e Rajonit të Ohrit në UNESCO. U krijua përshtypja se ndryshimi i trasesë ishte domosdoshmëri për të shpëtuar Ohrin. Por raporti më i fundit i UNESCO-s rrëzon këtë justifikim. Ai tregon qartë se problemet nuk kanë lindur nga Korridori 8, por janë rezultat i dekadave të urbanizimit të pakontrolluar, ndërtimeve ilegale, ndotjes së liqenit, ujërave të zeza dhe dështimit institucional. Kjo ngre një pyetje të pashmangshme: a u përdor UNESCO vetëm si mbulesë politike për një vendim që ishte marrë paraprakisht?
Vetë raporti i UNESCO-s e bën të qartë se shkaqet kryesore janë urbanizimi i pakontrolluar, ndërtimet ilegale, projektet infrastrukturore pa vlerësime të mjaftueshme, ndotja e liqenit, ujërat e zeza dhe planifikimi i dobët hapësinor. Këto janë probleme të akumuluara prej vitesh, jo të krijuara nga një projekt i vetëm. Prandaj, nëse Ohri rrezikon statusin në UNESCO, përgjegjësia nuk mund t’i faturohet vetëm një segmenti të Korridorit 8, por dekadave të neglizhencës institucionale.
Qeveria e dinte prej kohësh se problemet e Rajonit të Ohrit me UNESCO-n nuk kanë lindur sot. Edhe opinioni publik e dinte se organizata ndërkombëtare prej më shumë se 30 vitesh paralajmëron për urbanizimin e pakontrolluar, ndërtimet pa leje, ndotjen dhe mungesën e menaxhimit të duhur. Prandaj lind pyetja: pse pikërisht tani u paraqit ideja se traseja e Korridorit 8 në drejtim të Tushemishtit qenka pengesë kryesore për UNESCO-n?
Nëse raportet e UNESCO-s lexohen me kujdes, ato nuk e paraqesin Korridorin 8 si burimin e vetëm të problemit. Përkundrazi, flasin për një grumbullim dështimesh institucionale ndër vite. Kjo lë hapësirë për kritikën se qeveria mund ta ketë përdorur argumentin e UNESCO-s për të arsyetuar ndryshimin ose pezullimin e një traseje që ndoshta kishte vendosur ta ndryshonte edhe për arsye të tjera.
Me një veprim u arritën dy qëllime: u krijua përshtypja se ndryshimi i trasesë bëhej për të mbrojtur statusin e Ohrit në UNESCO, ndërsa njëkohësisht u zhvendos vëmendja nga përgjegjësitë shumëvjeçare të institucioneve për degradimin e rajonit.
Nëse Rajoni i Ohrit futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, kjo nuk do të jetë për shkak të një segmenti të vetëm të Korridorit 8 apo të Tushemishtit. Do të jetë pasojë e një neglizhence institucionale të akumuluar ndër dekada, të dokumentuar vazhdimisht nga UNESCO. Prandaj, përpjekja për ta paraqitur Korridorin 8 si fajtorin kryesor nuk i përgjigjet përmbajtjes së raporteve të organizatës. Në vend të justifikimeve dhe zhvendosjes së përgjegjësisë, qytetarët meritojnë transparencë: kush i injoroi për vite me radhë rekomandimet e UNESCO-s dhe pse u krijua përshtypja se ndryshimi i trasesë ishte zgjidhja e vetme? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, sepse raporti i UNESCO-s nuk flet për një problem të ri, por për një krizë të trashëguar që nuk u trajtua me seriozitet…www.telegrami.mk
P.S.Nëse Ohri humb statusin e qytetit Të Trashëgimisë Së UNESCO ,atëherë Ministri i Transportit dhe Zv/kryeministri Aleksandar Nikoloski duhet të largohet nga postet sepse nuk bëri kurgjë të ndalë humbjen e statusit nga viti 2024 kur e mori postin…nuk preku në vërejtjet e UNESCO-s ti menjanojë të paktën të mos lejonte ndërtimin e hotelit të Sasha mijalokvit pa marë parasysh se Kryetar komune tjetër i dha lejet e ndërtimit.Si ministër i transportit kishte mundësi ta neutralizonte ndërtimin sepse binte në vijën e Unescos…Por nuk e bëri…CIAO…
Mesut Shabani

