Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që pati kryeministri i vendit, Albin Kurti, me Komandantin e KFOR-it, Angelo Ristuccia, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Kryeministri Kurti ka theksuar se institucionet e sigurisë punojnë për të ofruar ambient të qetë për të gjithë, duke shtuar se prioritet i Qeverisë është sundimi i ligjit dhe liria e lëvizjes, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryetarët e rinj të komunave veriore, tha Kurti, do ta ushtrojnë detyrën e tyre pa pengesa.
Kryeministri Kurti theksoi se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”, thuhet në komunikatë.
“Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim”, thuhet tutje.
Sipas Kurtit, objektet e komunës në veri janë pronë e Republikës së Kosovës.