16 C
Tetovo
E shtunë, 18 Maj, 2024
BallinaLajmeKurti e Radevi dakordohen për thellim të marrëdhënieve

Kurti e Radevi dakordohen për thellim të marrëdhënieve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti të premten presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me të cilin u dakorduan për thellim të marrëdhënieve mes të dyja vendeve, veçanërisht në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e turizmit.

Radev po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë. Më herët u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Kurti e ka falënderuar Radevin për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Kosovës gjatë etapave të ndryshme të historisë.

Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e Bullgarisë në momente vendimtare për vendin dhe popullin tonë, duke përfshirë edhe vitin 1999 kur ju hapët qiellin për fushatën e bombardimeve të NATO-s, i cili ndaloi gjenocidin e Serbisë dhe e mbyllët atë për qëllimin keqdashës të Rusisë dhe veprimin e rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën. Falënderoj Bullgarinë për mbështetjen e vazhdueshme për anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtare, integrimin në BE, Këshillin e Evropës dhe në bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë Procesin e Berlinit. Kënaqësi e madhe t’iu kemi këtu, mirëserdhët, ka thënë Kurti, sipas njoftimit të Kryeministrisë.

Radevi ka thënë se ka ardhur me synim të qartë në Kosovë.

“Ne kemi ardhur këtu me një mision të qartë: për të thelluar miqësinë dhe marrëdhëniet tona në të gjitha fushat e mundshme me interes të përbashkët, dhe për t’iu inkurajuar dhe mbështetur në përpjekjet tuaja për zhvillimin e Kosovës, si një shtet modern, demokratik, të pavarur e të integruar plotësisht në sistemin e komunitetit ndërkombëtar”, ka shtuar Radev.

Kurti tutje ka theksuar se “të dy vendet dhe dy popujt kanë një histori të përbashkët në Ballkan dhe një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian ku vendi ynë ka aplikuar dhe aspiron të jetë anëtar”.

Kurti ka deklaruar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit, sidomos në fushën e ekonomisë ku mund dhe duhet të bëhet më shumë, e po ashtu dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes trajnimeve të përbashkëta.

“U përmend dhe fusha e ICT-së, ku kemi potencial të madh, të rinj të talentuar dhe të shkathët e ku edhe jemi eksportues të shërbimeve të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Radev ritheksoi që Bullgaria është një vend mik i Republikës së Kosovës dhe se është i interesuar që të rritet dhe thellohet bashkëpunimi dypalësh duke veçuar sektorët e energjisë, edukimit dhe turizmit.

“Në takim u vlerësua hapja e Odës Ekonomike Kosovë-Bullgari këtë qershor si dhe planifikimi i mbajtjes së Forumit të përbashkët Ekonomik vitin e ardhshëm, si një mundësi e mirë për të rritur raportet ekonomike”, vijon njoftimi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments