3.4 C
Tetovo
E premte, 19 Prill, 2024
BallinaOpinionDr. Arben TARAVARI / A do vazhdojë LSDM ta hajë sapunin...

Dr. Arben TARAVARI / A do vazhdojë LSDM ta hajë sapunin për djathë

Pas një klime tashmë familjare në vendin tonë, si është ajo e zgjedhjeve, pasi aq shumë ka sa gati na janë kthyer në stinën e 5 të vitit, pranvere, verë, vjeshtë, zgjedhje, dimër, ose si t’i teket stinës së Zgjedhjeve, ajo nuk njeh radhë si stinët e motit, nejse, pasi zgjedhjeve ju futën fillimit të Majit, si për të marrë pak nga euforia e pranverës, u arrit që me raundin e dytë të votimeve, të bëhemi me President. Ai është z.Pendarovski, që tashmë në fakt është President i Republikës së Maqedonisë së Veriut! Edhe pse unë isha për Rekën president, i uroj detyrën e re z.Pendarovski duke shpresuar që do të reflektojë dhe do të kuptojë se shqiptarët janë Njerëz/Popull/Evropianë të Lashtë!

Titullin dhe zyrën e ka të madh, e domosdo, President, por ajde të ndalemi tek të vërtetat dhe leksionet e këtyre zgjedhjeve. Ajo çfarë është për t’u theksuar në këtë mandat presidencial është barometri apo matja e forcave partiake. Ne patëm një rezultat të qartë dhe lehtësisht të lexueshëm! E para gjithnjë i kam konsideruar të ndara, ndryshe dhe do të vazhdojë t’a bëjë, që kështu: nëse LSDM-ja feston fitoren e kandidat të saj për President, BDI-ja nuk duhet të marrë pjesë në dasëm, sepse kjo parti tashmë duhet të bëhet gati për Largimin e Madh!

E nëse do përdorja ende metaforën e riteve më të vjetra e më të sigurta të njerëzimit, BDI-ja duhet të hapë konak se pushteti i saj është në agoninë e fundit! BDI-ja më në fund po zbret nga Olympi! Duket si titull epik por aq gjatë ishte kjo parti në pushtet sa për fat të keq është autore e historisë së zymtë të vendit tonë. Është firmëtarja e qindra dhe mijëra njerëzve që ikën dhe ikin, është përgjegjëse e varfërisë që nuk ikën nga shtëpitë e popullit… Është përgjegjëse të qindra e mijëra viktimave të pushtetit të saj të padrejtë që ose janë në depresion ose janë në halle të cilat krerët e BDI-së as nuk i marrin me mend nga lartësia e vilave të tyre të shumta dhe luksoze!

Vetëm një makinë e tyre do të mundësonte shërimin e qindra fëmijëve dhe mijëra pacientëve që ky shtet i varfër nuk ka mundësi t’i sanojë! Qeveritarë të caktuar shëtisin me makina që kushtojnë sa operacioni i fëmijëve që duke qenë pa para na vdesin në derë të shtëpisë apo spitalit! Disa qeveritarë janë aq të padëshiruar nga populli, sa vota e tij për pak do kishte ndëshkuar rreptë bashkimin qeveritar. LSDM-ja kuptoi qartë se ka rënie të votuesve, sigurisht se mban në krah një parti të dekompozuar tashmë, që paraqet rrezik të lartë kontaminimi për secilin që i rri afër!

Unë përfaqësoj opozitën por dua të theksoj që këtë analizë e bëj si qytetar i këtij shtet, si një mjek të cilit i është bërë zakon profesional që t’i shohë njerëzit të shëruar! Duke qëndruar në këtë kontekst, një mjek kurrë nuk mund të marrë masa pa i thënë pacienti se ku të dhëmb! Në këto zgjedhje populli foli!

Tregoi me pjesëmarrjen dhe mospjesëmarrjen e tij se nuk ndihet mirë! Populli ka kohë që ka hemorragji të njerëzve të tij! Sa vjen dhe vendit i humben njerëz! Ata largohen përfundimisht nga këtu duke zgjedhur shtete të tjera! Pse?! Se nuk besojnë dot tek një qeveri ku në përbërje ka ata që i mashtruan! As sot e as kurrë populli nuk do e kuptojë pse VMRO-ja e Grueskit u hoq nga qeveria kurse BDI-ja, partnerja e saj e vetme dhe e ngushtë, u amnistua!

Sigurisht një gjykim i menjëhershëm të çon të mendosh se Zaevi kërkonte drejtimin e shtetit me çdo kusht, dhe mënyra e vetme për ta mbajtur ishte BDI-ja, pavarësisht se kjo nuk ka qenë e vërtetë asnjë ditë të LSDM-së në pushtet, mirëpo e llogarisim se ja, e zëmë se ndodhi, por tashmë LSDM-ja mori alarmin e parë nga populli! BDI-ja ishte në dakordësi dhe harmoni me VMRO-në grueviste për një kohë të gjatë, dukej se e tyre do kishte qenë një martesë e gjatë derisa të mbeteshin 10 banorë për km2 në Maqedoni, se të gjithë do kishim ikur edhe në Afrikë vetëm t’i shpëtonim vdekjes së personalitetit që ky çift politik solli! Mirëpo tash u duk qartë se BDI-ja ishte menjëherë gati të bënte Amin edhe për LSDM-në vetëm që mos të lëvizte nga Pallati Qeveritar! Populli e kuptoi, priti që Zaevi të reagonte, nuk reagoi Zaevi – reagoi Populli!

Vota ishte sinjal, paralajmërim i qartë që nëse LSDM vazhdon dhe e ha sapunin për djathë duke i mbrojtur me pushtet këta të BDI-së, në zgjedhjet parlamentare LSDM le të bëjë gati valixhet, sepse do të humbasë dhe do e marrë BDI-ja me vete! Kemi një shprehje shumë të mirë popullore që thotë: I MBYTURI, TË MBYT! E tash nuk do asnjë përpjekje logjike të kuptosh se kush është i mbyturi dhe kush rrezikoi të mbytet! Ndaj i sugjeroj ekipit të LSDM-së të merr masa konkrete dhe të heqë ata pasagjerë që janë mësuar të hedhin shokë në det të hapur, vetëm e vetëm për të mbetur në pushtet!

Kjo mundësia e fundit besoj, që ka kabineti qeveritar për të reflektuar, z.Kryeministër është koha të veprosh, bashkë me ty edhe ne të gjithë!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments