Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka komentuar protestat e qytetarëve në Bulevard, duke theksuar se fokusi i debatit nuk duhet të jetë te numri i pjesëmarrësve, por te shqetësimet që ata po ngrenë.Në një reagim publik, Meksi vëren se kryeministri i ka kushtuar vëmendje të madhe madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo pasqyrohet në media, si dhe rolit të dezinformimit dhe rrjeteve sociale në formësimin e perceptimeve publike.Sipas saj, këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne, por thekson se reagimi i kreut të qeverisë i kushton më pak vëmendje pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin në mjedis dhe përfitimet konkrete publike të investimit.
Meksi shprehet se qeveria vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat për një projekt që “ende nuk ekziston”, ndërsa protestuesit kërkojnë informacion dhe dialog pikërisht në fazën e hershme të procesit. Sipas ish-deputetes socialiste, kjo është periudha kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet afatgjata dhe modelin e zhvillimit që synon Shqipëria, duke përfshirë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore.
Në përfundim, Meksi nënvizon se në demokraci rëndësi nuk ka vetëm numri i protestuesve, por mesazhi që ta përpiqen të përcjellin. Ajo shton se sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që shqetësimet e qytetarëve të adresohen përmes dialogut, transparencës dhe fakteve të verifikueshme.
