Edhe pse ka filluar vendosja e stolave dhe ndriçimit në bulevardin “Iliria” në Tetovë, procesi po ecë me ritëm të ngadalshëm. Kryetarja e Komunës, Teuta Arifi thotë se vendosja e ulëseve dhe dritave e ka tempon e vet dhe të njëjta do të vendosen në bazë të dinamikës së paraparë.
“Sa i përket bulevardit “Iliria” është në mënyrë të koordinuar vazhdimi me bankat dhe ndriçimin, tani ka tempon e vet, mund të jetë ngadalë-shpejtë, por është në vijim e sipër”, tha Teuta Arifi – kryetare e Komunës së Tetovës.
Ky bulevard ka filluar që të ndërtohet në vitin 2017, por i njëjti edhe sot kësaj dite nuk ka përfunduar. Në fillimin, komuna e Tetovës premtoi një shëtitore me të gjithë standardet. Punët për ndërtimin e të njëjtës filluan shpejt, por përfundimi nuk është duke ndodhur ashtu siç është paraparë. Në këtë bulevard sipas planit fillestar ishin paraparë edhe gjithsej:
73 shtylla metalike
12 çezme me ujë për pije
75 mbrojtëse për drunjtë
22 shporta për mbeturina,
32 konstruksione për parkim të biçikletave
233 ulëse të drunjta
Ky bulevard Komunës së Tetovës i ka kushtuar mbi 70 milionë denarë.