Fjalimin nga Konferenca për media e Sekretarit të Përgjithshëm të BDI-së, Arbër Ademi.
Nesër në seancë të Gjykatës Kushtetuese, si pikë e rendit të ditës është edhe Rregullorja për mënyrën e udhëheqjes, formës dhe përmbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, e sjellë nga ministrja e Arsimit dhe e publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 32/2026.
E njëjta është kontestuar nga aspekti kushtetues, respektivisht e njëjta rregullore bie ndesh me Amendamentin 5 të Kushtetutës së RMV-së dhe nenin 17 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, sepse kjo rregullore në Gazetën Zyrtare është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, edhe përkundër faktit që ekziston obligim ligjor për publikimin e së njëjtës edhe në gjuhën shqipe.
Amendamenti 5 i Kushtetutës është shumë i qartë, për më tepër, neni 17 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet nga ana e institucioneve të cilat botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, botohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj.
Argumentet juridike nuk përfundojnë këtu.
Neni 8, paragrafi 1, i Ligjit për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e të gjitha organeve të pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, taksativisht emëruar këtu edhe Gjykatën Kushtetuese e RMV-së, e që publikohen në „Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, publikohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën shqipe dhe në shkrimin e saj.
Rrjedhimisht nga e gjithë kjo, nuk do shumë mend që të kuptojmë se:
Kushtetuta si akti më i lartë juridik, Ligji për përdorimin e gjuhëve si ligj special për përdorimin e gjuhëve, si dhe Ligji për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, që të gjithë parashohin obligim zyrtar të institucioneve, ex officio, që të gjitha aktet që publikohen në Gazetën Zyrtare të publikohen në dy gjuhë.
Çdo jurist e di mirë relevancën e çështjes së publikimit të akteve dhe efektin e saj.
Këtë e di edhe Gjykata Kushtetuese, e cila e vërteton këtë fakt në vendimin e saj në vitin 2023, të evidentuar në U.nr. 89/2023, me të cilin e shfuqizon Udhëzimin për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit për mënyrën e mbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe shkresave, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me nr. 125, më 15.06.2023.
Në këtë vendim, mes tjerash, thuhet se:
“Vetë publikimi i ligjeve dhe i akteve të tjera normative përbën aktin e shpalljes së këtyre akteve dhe vënien e tyre në dispozicion të publikut. Parimisht ligji, ndërsa në rastin konkret akti normativ, me miratimin, promulgimin (nënshkrimin) dhe publikimin e tij në një gazetë zyrtare me interes publik, bëhet AKT i zbatueshëm“.
Duke pasur parasysh karakterin dhe rëndësinë e publikimit të ligjeve dhe akteve të tjera normative, Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka përcaktuar detyrimin, por edhe afatin, që ato të publikohen në „Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, si gazetë zyrtare e Republikës.
Dispozita për publikimin e ligjeve dhe akteve të tjera normative në Kushtetutë është parashikuar në kapitullin për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, përkatësisht në pjesën që ka të bëjë me garancitë e lirive dhe të drejtave themelore. Ky fakt tregon se Kushtetuta nuk e trajton publikimin e ligjeve dhe akteve të tjera normative si një çështje teknike, por si një çështje që prek thellësisht garancitë kushtetuese të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit.
Bazuar në këtë, vetë Gjykata Kushtetuese çështjen e publikimit e trajton si çështje rrënjësore dhe si bazë për shfuqizimin apo anulimin e akteve të kontestuara.
Pyetjet që shtrohen janë:
1. A paraqet shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të lartpërmendura mospublikimi i aktit të kontestuar edhe në gjuhën shqipe, apo kur është fjalë për gjuhën shqipe, e njëjta trajtohet si çështje e kategorisë së dytë dhe irelevante?
2. Çfarë domethënie ka kjo, a po hapet dera që nesër edhe ligjet të publikohen vetëm në gjuhën maqedonase?
3. Pse Gjykata po e ndryshon praktikën e vetë-etabluar gjyqësore kur është fjalë për gjuhën edhe të drejtat e shqiptarëve?
