BallinaLajmeMecinoviqi-deputet - Levica: Mickoski e përvetësoi buxhetin e shtetit – E Majta...

Mecinoviqi-deputet – Levica: Mickoski e përvetësoi buxhetin e shtetit – E Majta me 80 amendamente për kthimin e parave publike në shërbim të qytetarëve

“Buxheti që duhet të jetë buxhet i Republikës së Maqedonisë, tashmë prej dy vitesh është ekskluzivisht buxhet i Hristijan Mickoskit, i cili sillet sikur të jetë sovran mbi të gjithë ne”, deklaroi deputeti i partisë E Majta (Levica), Amar Mecinoviq, në konferencën e sotme për media lidhur me Propozim-buxhetin për vitin 2027.

Ai paralajmëroi 80 amendamente përmes të cilave E Majta propozon, siç thonë ata, një shpërndarje ndryshe të parave publike, në interes të qytetarëve dhe jo në interes të elitës qeverisëse.

Mecinoviq theksoi se pushteti i VMRO-DPMNE-së deri më tani nuk ka pranuar asnjë amendament të opozitës, duke e shndërruar praktikisht buxhetin e shtetit në një instrument ekskluziv të qeverisjes së vet.

Në kundërshtim me këtë mënyrë autoritare të administrimit të financave publike, E Majta propozon ndërhyrje në fushën e mbrojtjes sociale, shëndetësisë, arsimit, prodhimit vendor, bujqësisë, infrastrukturës, gjyqësorit, mjedisit jetësor dhe shumë sektorëve të tjerë.

500 milionë denarë shtesë për familjet me fëmijë, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe prindërit vetushqyes, rritje prej 50 për qind të kompensimeve për personat e shurdhër dhe të verbër, si dhe për ndihmën dhe kujdesin nga një person tjetër, ndërtimi i një shtëpie të re për të moshuarit dhe 1.000 njësi banimi për jetesë të asistuar, janë disa nga prioritetet sociale të propozuara.

Në këtë paketë parashikohet gjithashtu mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, modernizim i industrisë, investime në bujqësi dhe tetë milionë euro për përpunimin e tepricës së rrushit të verës në Kavadar.

Në sektorin e shëndetësisë, E Majta kërkon mjete financiare për ndërtimin e një qendre të re klinike në Shkup, vazhdimin e ndërtimit të Spitalit Klinik në Shtip dhe vënien në funksion të akseleratorit ekzistues linear në Manastir.

Për studentët propozohen rritja e vlerës së racionit studentor, subvencionimi i transportit ndërurban dhe ndarja e 300 milionë denarëve shtesë për bursa.

Amendamentet përfshijnë gjithashtu ndërtimin e një hekurudhe të lehtë nëpër Shkup, gazifikimin e TEC Negotinës, blerjen e automjeteve zjarrfikëse, forcimin e kontrolleve inspektuese ndaj ndotësve, sanimin e sistemit kolektor Ohër–Strugë, punësime të reja në prokuroritë publike, sistem të detyrueshëm GPS për automjetet zyrtare, si dhe investime në kulturë dhe sport.

Vëmendje e veçantë i kushtoi dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore

Një theks të veçantë Mecinoviqi e vuri mbi gjendjen alarmante të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, për të cilën E Majta ka dorëzuar shtatë amendamente të veçanta, me vlerë të përgjithshme prej 651 milionë denarësh.

E Majta propozon ndarjen e mjeteve për hapjen e qendrave të reja të strehimit (shelter), qendra për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale, këshillimore të specializuara, përforcimin me kuadro të qendrave për punë sociale, ekipe të përbashkëta operative të policisë dhe shërbimeve sociale, kujdes shëndetësor falas për viktimat, si dhe krijimin e një sistemi të vetëm elektronik për përcjelljen e rasteve.

Mecinoviqi paralajmëroi se viktimat e dhunës nuk duhet të lihen të vetme, duke bredhur nga një institucion në tjetrin, ndërkohë që rreziku ndaj tyre vazhdon. Po ashtu, një grua që largohet nga shtëpia ku është përballur me dhunë nuk duhet të mbetet pa kulm mbi kokë.

“Shteti duhet të sigurojë strehim të sigurt dhe kushte për fillimin e një jete të re”, deklaroi ai, duke theksuar se mbrojtja institucionale nuk mund të ndërtohet me komunikata dhe apele, por me mjete financiare, kuadro profesionale, qendra funksionale dhe veprim të koordinuar.

Sipas Mecinoviqit, gjendja me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore tashmë i ka kaluar të gjithë kufijtë e normales dhe shteti më në fund duhet të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e viktimave.

Kritika ndaj sistemit politik dhe institucioneve

Megjithatë, siç theksoi deputeti, problemi nuk përfundon vetëm me shpërndarjen e mjeteve buxhetore.

“VMRO-DPMNE-ja, si partia më e madhe aktualisht, ka forcën dhe ndikimin e saj paralel me ndikimin e institucioneve. Prandaj kemi raste të tilla, shkelje dhe pandëshkueshmëri, sepse kjo është kultura që kultivojnë këto parti”, theksoi Mecinoviqi.

Ai vlerësoi se rrjetet korruptive dhe klienteliste të partive tradicionale po e minojnë besimin e qytetarëve në institucione.

Sipas tij, qytetarët e kuptojnë shumë mirë këtë gjendje dhe nuk mund t’u shitet pafundësisht një përballje vetëm deklarative me problemet, ndërkohë që në thelb nuk ndërmerret asgjë.

Në fund, Mecinoviqi deklaroi se VMRO-DPMNE-ja e përdor buxhetin e shtetit për të përmirësuar pozitat e kompanive dhe familjeve të lidhura me udhëheqësinë qeverisëse, duke vlerësuar se çdo buxhet dhe rishikim i ardhshëm buxhetor nën këtë pushtet do ta vazhdojë të njëjtën praktikë.

“Ta rikthejmë çelësin e buxhetit të Republikës së Maqedonisë do të thotë t’i largojmë nga institucionet vendimmarrëse ata që e konsiderojnë atë si buxhetin e tyre personal”, porositi Mecinoviqi.

Ai theksoi se përballja përfundimtare me sistemin klientelist duhet të ndodhë edhe përmes zgjedhjeve, duke larguar nga pushteti partitë që resurset shtetërore i trajtojnë si pronë të tyre private.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments