BallinaLajmeA po e çojnë aferat korruptive të liderëve partiak të VLEN-it dhe...

A po e çojnë aferat korruptive të liderëve partiak të VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme?

www.telegrami.mk

hulumtim

Deklaratat politike për ndryshime kushtetuese dhe barazi etnike kanë peshë të madhe në një shtet të ndjeshëm si Maqedoni e Veriut. Mirëpo, kur këto deklarata vijnë në kohë kur opinioni publik është i mbingarkuar me akuza për korrupsion, urbanizëm të dyshimtë dhe ndërtime pa leje, lind pyetja logjike: a po përdoren temat kombëtare për të larguar vëmendjen nga aferat që po tronditin pushtetin?

Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, kërkon largimin e termit “20%” nga Kushtetuta dhe zëvendësimin me emërtimin “shqiptar”. Kjo është një çështje që prek identitetin dhe barazinë politike të shqiptarëve në shtet. Por paralelisht me këtë debat, vetë Kasami po përballet me presion politik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedoni e Veriut,që rrëzoi vendime lidhur me urbanizmin në Tetovë, duke hapur dyshime për mënyrën e menaxhimit urbanistik dhe ligjshmërinë e proceseve komunale.

Në anën tjetër, edhe Izet Mexhiti është përballur vazhdimisht me akuza politike për ndërtimet pa leje të shumëkatësheve gjatë mandateve të tij në komunë, akuza të ngritura publikisht nga ish-kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, si dhe me padi dhe kallëzime që kanë prodhuar debat të madh publik. Edhe pse përgjegjësia penale përcaktohet vetëm nga drejtësia, perceptimi publik për korrupsion dhe klientelizëm po e dëmton seriozisht besueshmërinë e elitës politike.

Në këtë situatë, goditja nuk mbetet vetëm te VLEN-i. Barrën politike e mban edhe kryeministri Hristijan Mickoski, si udhëheqës i qeverisë, por edhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski, pasi qytetarët nuk i ndajnë aferat sipas partive, por i shohin si dështim të përgjithshëm të sistemit. Kur një qeveri premton reforma, luftë kundër korrupsionit dhe shtet juridik, ndërsa në opinion dominojnë skandalet, urbanizmi kontrovers dhe mosndëshkimi, atëherë besimi publik fillon të shembet.

Problemi më i madh për RMV-në nuk është vetëm korrupsioni si fenomen, por fakti që reformat e premtuara vazhdojnë të mbeten në letër. Integrimet europiane stagnuan, sistemi i drejtësisë vazhdon të kontestohet, ndërsa qytetarët përballen me varfëri, emigrim dhe humbje të shpresës. Në këtë klimë politike, çdo aferë e re mund të shndërrohet në shkëndijë për destabilizim të shumicës parlamentare.

Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që pikërisht kombinimi i aferave korruptive, presionit publik dhe mungesës së reformave reale ta çojë Maqedoninë e Veriut drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sepse kur pushteti humb besimin moral, debatet identitare nuk mjaftojnë më për ta shpëtuar nga përgjegjësia politike…www.telegrami.mk

=================================================================

Mesut Shabani Tetovë

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments