A do të zëvendësohet zv/kryeministri i parë? Ali Ahmeti komenton “konfliktin” Mexhiti-Grubi

52

Kur u pyet nëse ka folur me partnerin qeverisës Zoran Zaev për rikonstruim të Qeverisë, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u përgjigj drejtpërdrejt se jo.

“Jo nuk ka aspak, nuk është diskutuar e as nuk është menduar kjo çështje”, u shpreh Ahmeti.Por kryetarit të integristëve i duhet të sqarohet më gjatë kur pyetet nëse është duke menduar të ndryshojë ndonjërin zyrtar të BDI-së në Qeveri. Duke folur për pakënaqësitë brenda partiake për emërimet e bëra, Ahmeti thotë se nuk është autoritar sa të mos i lejojë bashkëpartiakët lirshëm të thonë mendimin e tyre.

“Mendimin ndryshe të jetë funksional, kështu që mos mendoni se ka zhvillime shqetësuese apo diçka të tillë, bile-bile jam nga ata ithtarët që i inkurajoj mendimin ndryshe, në fund vendos shumica e organeve dhe detyrimisht tani hyjnë në funksion të vendimeve që merren qoftë me konsensus apo me shumicë në organet e partisë”, deklaroi Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.

Ka javë që nënkryetari i BDI-së, njëherazi edhe koordinatori i grupit parlamentar, Izet Mexhiti, hapur shpreh shqetësimet e tij për emërimin e Artan Grubit si zëvendëskryeministër i parë.

Dy ditë më parë, i pyetur nëse deputetë të BDI-së ose vetë ai është i gatshëm për të rrëzuar qeverinë aktuale, duke e mbështetur kreun opozitar Mickoski për formimin e shumicës së re, Mexhiti tha se problemi nuk qëndron në Qeveri, por vetëm te Grubi, për të cilin ai është i gatshëm të votojë për ta shkarkuar.

 “Nuk kemi problem me orientimin e Qeverisë. E mbështesim këtë Qeveri. Problemet janë brenda BDI-së, që të dëgjohet zëri i strukturës. Nëse ngremë votëbesim, do të jetë vetëm për Artan Grubin”, theksoi Izet Mexhiti – koordinator i grupit parlamentar i BDI-së.

TV21 nga burime të mirinformuara, por që nuk duan të identifikohen, merr vesh se kryetari i BDI-së ka kërkuar që për 6 muaj nga emërimi Artan Grubi të mos lëvizë nga posti i tij.

Për këtë arsye edhe Mexhiti deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë nga hapat e paralajmëruar për interpelancë ndaj Grubit.

Sipas të njëjtit burime, në rast se Grubi vazhdon të mbetet në postin e tij edhe pas 6-mujorit të premtuar nga Ahmeti, atëherë Mexhiti edhe zyrtarisht mund të kërkojë interepelancë për bashkëpartiakun e tij.