Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot ishte në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion, për të dëshmuar në rastin për regjistrimin e dështuar në vitin 2011.
Ahmeti në prokurori erdhi më herët, me kërkesë të tij, rreth orës 8:00, dëshmoi dhe u largua, edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se do të vijë në orën 10:00, konfirmojnë për MIA-na nga Prokuroria.
Hetimin rreth lëndës “Regjistrimi” e hapi ish-PSP-ja, në mënyrë që më vonë ta ndërmarrë PTH për krim të organizuar dhe korrupsion.
Rasti ka të bëjë me regjistrimin e dështuar në vitin 2011, organizuar nga qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Sipas PSP-së, me ndërprerjen e regjistrimit të popullatës, kryeministri i atëhershëm dhe lider i VMRO-DPMNE-së, i cili tani është në arrati, Nikolla Gruevski dhe partneri i tij në koalicion, Ali Ahmeti, i shkaktuan dëm Buxhetit në vlerë prej 2,8 milionë eurove.