www.telegrami.mk
Satirë politike
Nëse Bërvenica është prova e ndërgjegjes së VLEN-it, Shkupi duket se e ka gjetur mënyrën për ta bërë provimin më të lehtë: kur mungojnë votat, shtohen postet!
Bërvenica po afrohet me 18 tetor 2026 te kutitë e votimit, ndërsa VLEN-i po afrohet te tavolina e Mickoskit para zgjedhjeve. Dhe çfarë rastësie e bukur politike: pikërisht në këto ditë, kur në terren kërkohet mbështetje për kryetarin e komunës, në Shkup fillon të flitet për zëvendësministra të rinj për VLEN-in.
Dy poste në Shëndetësi dhe Politikë Sociale?
Pse jo!
Në politikë, kur nuk mund të marrësh atë që kërkon me vota, gjithmonë mund të provosh me… rokadë.
Një post në Bujqësi ikën, një në Kulturë largohet, disa karrige ndërrojnë pronarë dhe në fund të gjithë dalin të buzëqeshur nga koalicioni.
Kryetari i komunës nuk e fitoi VLEN? Mos u shqetësoni VLEN– keni zëvendësministrin!
Ky duket sikur është bërë kursi i ri intensiv i koalicionit:
“Si ta kompensojmë rezultatin në terren me një vend në kabinet?”
Dhe kështu, Bërvenica rrezikon të bëhet laboratori më interesant i politikës shqiptare: qytetari numëron votat, ndërsa partitë numërojnë postet.
Qytetari pyet:
– Kush do ta drejtojë komunën?
Politika përgjigjet:
– Nuk e dimë ende.
– Po çfarë fituam?
– Një zëvendësministër!
– Po çfarë ka të bëjë kjo me Bërvenicën?
– Mos e komplikoni. Është marrëveshje koalicioni!
Kjo është pjesa ku satira bëhet realitet.
Sepse nëse Bërvenica është vërtet “provë” për peshën politike të VLEN-it, atëherë pyetja nuk është vetëm kush do ta fitojë komunën. Pyetja është: çfarë ndodh nëse rezultati në kuti nuk përputhet me pritjet politike?
A do të dëgjojmë: “Nuk morëm komunën, por morëm dy zëvendësministra”?
Nëse po, atëherë kemi zbuluar një formulë të re të demokracisë koalicionare:
Vota është për qytetarin, posti është për partnerin!
Dhe Mickoski? Ai gjithmonë mund të thotë se gjithçka është pjesë e balancimit të koalicionit.
VLEN-i mund të thotë se po ruan ndikimin.
VMRO-DPMNE mund të marrë disa poste të tjera.
ZNAM-i mund të marrë ndonjë karrige.
Dhe në fund, të gjithë mund të dalin të kënaqur.
Vetëm një person mbetet me pikëpyetje:
qytetari që shkoi të votojë.
Sepse ai ende nuk e ka kuptuar këtë matematikë të re politike:
nëse nuk fiton kryetarin, ndoshta fiton një zëvendësministër. Nëse humb në komunë, mund të fitosh në Shkup. Dhe nëse qytetari nuk e kupton formulën, atëherë problemi qenka te qytetari!
Bërvenica, prandaj, nuk është vetëm një garë lokale.
Është edhe një test për atë se çfarë vlen më shumë në politikë: vota e qytetarit apo karrigia e koalicionit.
Dhe nëse përgjigjja del se karrigia është më e fortë se vota, atëherë Bërvenica nuk do të ketë vetëm një rezultat zgjedhor.
Do të ketë edhe një mësim politik:
Kur nuk e merr komunën, gjithmonë ekziston Shkupi…www.telegrami.mk
=================================================================
lajmi që qarkullon
