www.telegrami.mk
Prej ardhjes në pushtet, VMRO-DPMNE ka krijuar përshtypjen se shteti funksionon sipas vullnetit të një qendre të vetme politike. Vendimmarrja, investimet kapitale, politikat zhvillimore dhe komunikimi publik po përqendrohen gjithnjë e më shumë në duart e një rrethi të ngushtë qeveritar, ndërsa partnerët shqiptarë në qeveri duken më tepër si dekor politik sesa faktorë me peshë reale.
Shqiptarët, si komuniteti i dytë më i madh në vend, jo vetëm që nuk po shohin avancim të pozitës së tyre politike, por po përballen me një ndjenjë në rritje të margjinalizimit. Vota shqiptare, e cila në teori duhet të përkthehet në përfaqësim dhe ndikim institucional, shpesh perceptohet si e nënvlerësuar në proceset kryesore të vendimmarrjes.
Një nga shembujt më të dukshëm është përqendrimi i kompetencave dhe promovimi i figurave të caktuara qeveritare në pothuajse çdo projekt kapital. Krijohet përshtypja se institucionet funksionojnë sipas logjikës së një personi apo një grupi të vogël, e jo sipas parimit të përgjegjësive të ndara institucionale. Kjo jo vetëm që dobëson transparencën, por edhe krijon perceptimin e monopolizimit të suksesit dhe kontrollit politik.
Në të njëjtën kohë, opozita shqiptare vazhdon të mbahet në tension të vazhdueshëm me spekulime për zgjedhje të parakohshme, ndërsa debatet publike shpesh zhvendosen nga problemet reale – ekonomia, investimet, emigrimi dhe standardi jetësor – drejt temave identitare dhe konflikteve politike. Kjo metodë ka shërbyer tradicionalisht si mekanizëm për të mobilizuar elektoratin dhe për të larguar vëmendjen nga problemet konkrete të qytetarëve.
Ajo që mungon më së shumti sot është prania e një kundërpeshe të fortë politike dhe institucionale. Opozita shqiptare vazhdon të vuajë pasojat e përçarjeve të brendshme, ndërsa partnerët shqiptarë në qeveri nuk po arrijnë të bindin opinionin se kanë fuqi reale për të ndikuar në politikat shtetërore. Në këtë vakuum politik, VMRO-DPMNE po qeveris me komoditet të plotë, duke konsoliduar kontrollin mbi institucionet dhe narrativën publike.
Pyetja kryesore mbetet: a po ndërtohet një shtet më demokratik dhe më gjithëpërfshirës, apo po rikthehet modeli i centralizimit politik ku vendimet merren nga një qendër e vetme pushteti, ndërsa partnerët e tjerë shërbejnë vetëm për legjitimitet formal?
Një demokraci funksionale nuk matet me fuqinë e qeverisë, por me aftësinë e saj për të respektuar pluralizmin, përfaqësimin dhe balancën institucionale. Kur një parti krijon përshtypjen se kontrollon gjithçka, nga investimet deri te narrativi politik, atëherë alarmi demokratik duhet të ndizet. Nëse shqiptarët ndihen të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse dhe partnerët e tyre politikë nuk arrijnë të ushtrojnë ndikim real, problemi nuk është vetëm shqiptar – është problem i vetë demokracisë së Maqedonisë së Veriut.
===========================================
P.S Fakti që SHBA-ja është e përfshirë në konfliktin ushtarak me Iranin nuk do të thotë se ajo nuk i përcjell zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, Uashingtoni vazhdon ta mbajë vëmendjen te rajoni dhe të ruajë stabilitetin e tij strategjik.
Prandaj, naivët politikë të nëntokës politike shqiptare nuk duhet të ushqejnë iluzione se pakënaqësitë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut mund të kalojnë pa u vërejtur nga faktorët ndërkombëtarë.
VMRO-DPMNE duhet lexuar me kujdes politik. Pikërisht këtu nuk e kuptoj sjelljen e deputetëve të opozitës shqiptare, të cilët nuk është dashur fare të jenë të pranishëm në sallë. Pavarësisht pakënaqësive që shprehën publikisht, me vetë praninë e tyre fizike i siguruan kuorumin Adnan Azizit dhe shumicës qeverisëse.
Adnan Azizi, i njohur për afërsinë politike me Bilall Kasamin, paradite merret me çështjet e Vakëfeve në Tetovë, ndërsa pasdite shkon në Kuvend dhe kryen punët që i nevojiten VMRO-DPMNE-së. Lind pyetja: a nuk e di VMRO-DPMNE se çfarë po ndodh në Tetovë, apo thjesht zgjedh ta tolerojë? Sidomos kur decentralizimi i plotë i pushtetit lokal ende nuk është përmbyllur me ligj.
Opozita shqiptare, e dominuar nga partitë e kampit të Badenterit, me vetë praninë e saj në sallë ia mundësoi Adnan Azizit dhe mentorëve të tij politikë nga VMRO-DPMNE-ja të realizonin atë që kishin planifikuar. Kjo ndodhi edhe pse u anashkalua një nga parimet themelore të punës parlamentare: njoftimi paraprak me shkrim dhe dorëzimi i materialeve për shqyrtim para se të hapet debati.
Kur VMRO-DPMNE ua nguliti idenë e pjesëmarrjes fizike, loja tashmë ishte fituar. Fillimisht u hodhën në votim disa propozime formale për të krijuar përshtypjen e debatit demokratik, ndërsa objektivi i vërtetë ishte votimi për të ashtuquajturin “Badenter i vogël”. Pikërisht këtë priste Qeveria.
Po të mos ishin deputetët e opozitës shqiptare fizikisht në sallë dhe po të mos kishin siguruar kuorumin, procedura nuk do të mund të vazhdonte në të njëjtën mënyrë. Por ata ishin aty.
Kjo situatë të kujton vitin 1992, kur u votua Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë. Deputetët e PPD-së hynë në sallë, nuk votuan, por me praninë e tyre siguruan kuorumin. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Stojan Andov, e tha qartë: “Ju jeni të pranishëm në sallë dhe është e drejta juaj si do të votoni. Po të mos ishit këtu, do të duhej të vepronim ndryshe.”
Historia ndonjëherë nuk përsëritet në të njëjtën formë, por mësimet e saj mbeten të njëjta. .www.telegrami.mk
Mesut Shabani

