BallinaLajmeZlatko Perinski: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për nenin 218 mund t’i godasë...

Zlatko Perinski: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për nenin 218 mund t’i godasë seriozisht komunat dhe ndërmarrjet publike

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, paralajmëroi se vendimi eventual i Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut lidhur me nenin 218 të Ligjit për Përmbarim mund të shkaktojë pasoja serioze në funksionimin e komunave dhe ndërmarrjeve publike.

Duke folur në emisionin “Klik Plus” në TV21, Perinski theksoi se bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme që ndikon drejtpërdrejt në vetëqeverisjen lokale.

“Llogaritë e komunave dhe të ndërmarrjeve publike mund të goditen seriozisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për nenin 218 të Ligjit për Përmbarim, i cili ka të bëjë me përmbarimin mbi pronën e organeve shtetërore, komunave dhe ndërmarrjeve publike”, tha Perinski.

Ai rikujtoi se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në edicionin e kaluar të emisionit kishte folur tashmë për këtë temë dhe kishte paralajmëruar takime me ZELS, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe një pjesë të komunave.

“Kostadinovski tha se ka kërkuar takim me ZELS-in, me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe me një pjesë të komunave lidhur me veprimin e shtyrë të këtij neni 218”, theksoi ministri.

Sipas Perinskit, iniciativa është e hapur tashmë prej dy vitesh, ndërsa institucionet ndërkohë po përpiqen të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e problemeve eventuale.

“Po gjenden modalitete me të cilat këto sfida do të tejkalohen, qoftë përmes riprogramimit të resurseve në ndërmarrjet publike, qoftë përmes riprogramimit të të hyrave dhe shpenzimeve”, tha ai.

Ministri theksoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta as mbi punën e ndërmarrjeve publike, as mbi interpretimin e Ligjit për Përmbarim, por pranoi se çështja ndikon seriozisht në funksionimin e pushtetit lokal.

“Ministria këtu nuk ka ingerenca në pjesën e funksionimit të ndërmarrjeve publike, ndërsa neni 218 nuk është nën kompetencën tonë që të mund ta interpretojmë. Por absolutisht ndikon në funksionimin e vetëqeverisjes lokale”, deklaroi Perinski.

Ai porositi se Qeveria do të duhet të gjejë një zgjidhje për sfidat me të cilat përballen ndërmarrjet publike dhe komunat.

“Duhet të gjendet një modalitet se si të gjitha këto sfida që ndërmarrjet publike i kanë aktualisht, në të ardhmen të tejkalohen”, tha Perinski.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments