10.4 C
Tetovo
E shtunë, 15 Nëntor, 2025
BallinaLajmeKE qorton Maqedoninë: Krimi mbetet pa përgjigje, gjuha e urrejtjes problem serioz...

KE qorton Maqedoninë: Krimi mbetet pa përgjigje, gjuha e urrejtjes problem serioz i paprocesuar (PDF raporti)

Maqedonia e Veriut përballet ende me sfida të theksuara në luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut evidentoi se, megjithëse janë ndërmarrë hapa pozitivë drejt përputhjes me standardet evropiane, zbatimi mbetet i pjesshëm dhe kapacitetet institucionale kërkojnë forcim të mëtejshëm. Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, veçanërisht ajo me bazë gjinore dhe kundër komunitetit LGBTIQ, vazhdon të jetë problem serioz, ndërsa reagimet ligjore dhe institucionale mbeten të pamjaftueshme, shkruan Portalb.mk.  

Sipas raportit, gjatë vitit 2024, Këshilli për Etikë në Media ka pranuar 84 ankesa për gjuhë urrejtjeje, duke shënuar një ulje krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, organizatat e shoqërisë civile evidentuan 1 391 raste të dyshuara të gjuhës së urrejtjes, kryesisht mbi baza kombëtare, etnike, politike, të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. 

“Autoritetet ende nuk mbledhin në mënyrë sistematike të dhëna për gjuhën dhe krimet e urrejtjes, ndërsa kapacitetet institucionale për zbatimin e ligjit në këtë fushë mbeten të kufizuara. BE kërkon nga Maqedonia e Veriut që të forcojë kornizën ligjore dhe ndërinstitucionale, në përputhje me Vendimin Kornizë të Këshillit të BE-së të vitit 2008 dhe Rekomandimin Nr. 15 të ECRI-t për luftimin e gjuhës së urrejtjes”, thuhet në raport. 

Një nga shqetësimet kryesore, shkruan tutje në raport, mbetet gjuha e urrejtjes me bazë gjinore, përfshirë kërcënimet ndaj mbrojtëseve të të drejtave të njeriut, e cila është veçanërisht e përhapur në rrjetet sociale. Raporti kritikon gjithashtu ndryshimet në politikat komunale, nga termi “barazi gjinore” në “barazi midis burrave dhe grave”, si hapa që minojnë përpjekjet për barazi dhe përfshirje. 

“Më 21 qershor 2025, u organizua parada e Krenarisë LGBTIQ në formë proteste, e cila u zhvillua pa incidente. Megjithatë, gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ vazhdon të jetë e pranishme në rrjetet sociale. Në vitin 2024, OJQ-të raportuan 230 raste të dyshuara të gjuhës së urrejtjes të bazuara në orientim seksual dhe identitet gjinor (krahasuar me 298 raste në vitin 2023), ndërsa reagimet ligjore mbeten të pamjaftueshme. Organizatat e shoqërisë civile dokumentuan gjithashtu dy raste të dhunës së motivuar nga urrejtja, të lidhura me orientimin seksual dhe barazinë gjinore, por hetimet mbi sulmet e mëhershme ndaj Qendrës për Mbështetje LGBTIQ dhe vandalizmin kundër organizatave apo aktivistëve LGBTIQ mbeten pa përfundim” theksohet në raport. 

Gjuha e urrejtjes me bazë gjinore, përfshirë kërcënimet ndaj mbrojtëseve të të drejtave të njeriut, mbetet e përhapur, veçanërisht në rrjetet sociale. Ndryshimet në politikat komunale nga “barazi gjinore” në “barazi midis burrave dhe grave” janë vlerësuar si hapa që minojnë përpjekjet për barazi gjinore

Ndryshe, raporti ka shënuar atë që Portalb.mk, ka argumentuar pothuajse gjatë tërë vitit. Papërgjegjësinë e institucioneve për ta ndëshkuar gjuhën e urrejtjes dhe moskapacitetin institucional për të procesuar lëndët lidhur me gjuhën e urrejtjes.

Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, kanë mbushur faqet e raportit me notë negative ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut.

Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments