Zgjedhjet e përgjithshme në Izrael nuk kanë prodhuar një fitues të qartë, sipas exit poll-eve, pasi as kryeministri veteran Benjamin Netanyahu dhe as ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot, nuk duket se kanë siguruar shumicën në parlament. Sipas projeksioneve të dy televizioneve izraelite, blloku opozitar i drejtuar nga Eisenkot dhe koalicioni qeverisës i Netanyahut pritet të marrin nga 51 vende secili në Knesset, që ka gjithsej 120 deputetë. Një sondazh i tretë i dha një avantazh të lehtë Netanyahut.
Pjesëmarrja në votime arriti në 77.7% deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 22:00 sipas kohës lokale, niveli më i lartë në këtë orar që nga viti 1999. Megjithatë, rezultati përfundimtar pritet të qartësohet pas numërimit të votave, përfshirë rreth 600 mijë fletë votimi të dërguara kryesisht nga personeli ushtarak, të cilat pritet të numërohen plotësisht deri të enjten.Të dy kampet kanë pretenduar fitoren. Eisenkot deklaroi se opozita kishte “bërë histori”, duke premtuar krijimin e një qeverie të qëndrueshme, ndërsa aleati i tij, ish-kryeministri Yair Lapid, e cilësoi rezultatin si një humbje të rëndë për Netanyahun. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit deklaroi se blloku i tij i djathtë kishte një shumicë të konsiderueshme dhe bëri thirrje për formimin e një qeverie të fortë të krahut të djathtë.
Faktor vendimtar pritet të jenë dy partitë arabe, të cilat, sipas exit poll-eve, mund të sigurojnë 18 ose 19 vende në parlament, një rezultat rekord. Ato mund të luajnë rolin e përcaktuesit të shumicës, megjithëse vetëm njëra prej tyre ka shprehur hapur gatishmërinë për të bashkëpunuar në qeveri me bllokun opozitar. Për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 vende në Knesset.
