www.telegrami.mk
Arena Sport Premium dhe operatorët kabllorë në Maqedoni: Kur parapaguesi shqiptar trajtohet si klient i dorës së dytë
Në Maqedoninë e Veriut, sidomos në pjesën perëndimore të vendit, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të parapaguesve të televizioneve kabllore, duket se pagesa mujore nuk garanton as respektimin e interesave dhe as të preferencave sportive të tyre.
Këtyre ditëve u bë shumë zhurmë për hyrjen e kanaleve Arena Sport Premium M1, M2 dhe M3 në tregun televiziv të Maqedonisë së Veriut. U fol për futboll ndërkombëtar, për të drejta ekskluzive, për oferta sportive dhe për mundësinë që shikuesit të kenë më shumë futboll në ekranet e tyre.
Por, për çudi, kur vjen puna te kombëtarja shqiptare, ekrani mbetet i heshtur!
Më 12 nëntor 2026, ndeshja Shqipëri–Finlandë nuk u transmetua në këto kanale. E njëjta situatë u përsërit më 15 nëntor, kur Shqipëria luajti kundër Bjellorusisë dhe fitoi me rezultat 2:0. Ndërkohë, më 16 nëntor, ndeshja Estoni–Bullgari 2-1,u transmetua nga ora 18:00 e tutje.
Këtu lind pyetja: Me çfarë kriteresh vendoset se cilat ndeshje meritojnë të transmetohen dhe cilat jo?
A nuk është kombëtarja shqiptare pjesë e futbollit ndërkombëtar? A nuk janë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut konsumatorë që paguajnë për të njëjtin shërbim? Apo abonimi i tyre vlen vetëm kur duhet të mbushen arkat e operatorëve?
Dhe mos të flasim fare për kombëtaren e Kosovës, ndeshjet e së cilës, sipas përvojës së shikuesve shqiptarë, pothuajse asnjëherë nuk gjejnë vend në programin e këtyre kanaleve.
Nuk është e domosdoshme që çdo kanal sportiv të transmetojë çdo ndeshje. Por kur një operator apo një platformë pretendon se ofron futboll ndërkombëtar, atëherë transparenca për përzgjedhjen e ndeshjeve dhe kriteret e transmetimit duhet të jetë detyrim ndaj konsumatorit.
Fakti që Arena Sport ka pronësi serbe nuk është vetvetiu argument për të paragjykuar çdo vendim të saj. Por kjo nuk e përjashton detyrimin për të kërkuar llogari kur interesat sportive të një pjese të madhe të parapaguesve shqiptarë anashkalohen vazhdimisht.
Problemi, megjithatë, nuk përfundon te Arena Sport. Një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi operatorët kabllorë që i fusin këto kanale në ofertat e tyre dhe ua shesin parapaguesve pa u shqetësuar nëse përmbajtja e tyre i përgjigjet interesave të klientëve.
Nëse në Maqedoninë Perëndimore shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të parapaguesve të disa operatorëve, atëherë këta operatorë duhet ta kuptojnë se nuk mund t’i trajtojnë si numra në listën e pagesave. Konsumatori nuk është vetëm burim të ardhurash, por ka edhe të drejtë të kërkojë shërbim cilësor dhe respekt për interesat e tij.
Dhe këtu vjen edhe përgjigjja ime si konsumator: nëse nga janari i vitit 2027 duhet të paguaj për një shërbim që nuk i përmbush pritjet dhe interesat e mia, atëherë nuk kam asnjë arsye ta vazhdoj kontratën. Do ta shkëpus abonimin!
Ndoshta kjo është e vetmja gjuhë që kuptojnë operatorët kabllorë: jo ankesat, jo telefonatat në qendrat e tyre të shërbimit, por humbja e parapaguesve.
Sepse në fund të fundit, televizioni kabllor nuk është institucion bamirësie dhe parapaguesi shqiptar nuk është klient i dorës së dytë.
Paratë tona nuk janë të dorës së dytë. As kombëtaret tona nuk janë!…www telegrami.mk
Mesut Shabani

