23.8 C
Tetovo
E shtunë, 6 Shtator, 2025
BallinaLajmePër shkak të krizës në Gjermani, mbyllen fabrika në Maqedoninë e Veriut

Për shkak të krizës në Gjermani, mbyllen fabrika në Maqedoninë e Veriut

Prodhuesit e Maqedonisë së tekstilit po përballen me mungesë porosish nga partnerët tradicionalë gjermanë. Gjithashtu, numri i punonjësve po zvogëlohet, ndërsa produktiviteti i ulët dhe kostot e larta e bëjnë këtë sektor të pakonkurrueshëm për bashkëpunim me partnerë të huaj. Mungesa e fuqisë punëtore, si dhe kostot e larta në tregun vendas, kanë çuar në një rënie të konkurrueshmërisë së tekstileve të Maqedonisë. Më pak porosi, kanë sjellë edhe numër të reduktuar të punëtorëve dhe mbyllje të disa fabrikave. Vlerësohet se mbi 5000 punëtorë janë larguar nga sektori i tekstilit që nga fillimi i vitit. Njëherësh, nga 65.000 punëtorët e mëparshëm, rreth 25.000 punëtorë aktualisht punojnë në sektorin e tekstilit.Nga ana tjetër, drejtuesit më të lartë të kompanisë më të madhe të tekstilit në Maqedoni – “AD Moda”, vënë në dukje se kompania është në një pozicion të palakmueshëm dhe se operacionet e ardhshme bëhen më të vështira për shkak të porosive të reduktuara nga Gjermania.

“Mbijetesa e ardhshme e kompanisë vështirësohet për shkak të kërkesës së zvogëluar në Gjermani, rritjes së vazhdueshme të pagave të punonjësve dhe konkurrencës së dëmtuar në raport me vendet nga Lindja e Largët”, theksohet në fund të raportit, të nënshkruar nga drejtori ekzekutiv, Angel Dimitrov. Raporti tregon se kërkesa nga partneri kryesor – Gjermania, vazhdoi të bjerë në vitin 2025, duke u lëkundur në rreth 3000 copë në ditë, ndërsa kapaciteti i prodhimit është rreth 3500 copë në ditë. Për të ruajtur prodhimin aktual dhe numrin e punonjësve, “AD Moda” po siguron sasi shtesë nga partnerë të tjerë.

Produktiviteti i arritur, i shprehur përmes hyrjes së realizuar të valutës së huaj për 1 orë pune, arrin në 8.01 euro në orë dhe është i barabartë me atë të vitit të kaluar tregon raporti. Ndër të tjera, theksohet se çmimi mesatar i eksportit është 5.25 euro dhe është pothuajse identik me vitin e kaluar, ndërsa shpenzimet operative janë 6 për qind më të larta se vitin e kaluar. Theksohet se rritja më e madhe është në shpenzimet e pagave, të cilat janë 13 për qind më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja më e madhe është në kostot e pagave, të cilat janë 13 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Është vërejtur gjithashtu një rritje në shërbime dhe kosto të tjera operative, por pjesa e tyre në totalin e kostove operative është e papërfillshme, pasi kostot e punonjësve përbëjnë deri në 82 për qind të totalit të shpenzimeve operative tregon raporti. Njëherësh një pjesë e madhe e sektorit të tekstilit në vend mbështetet në të ashtuquajturin “prodhimtari lon” ku kompanitë e huaja ofrojnë materiale, modele qepjeje , ndërsa fabrikat vendore prodhojnë në varësi të porosive të jashtme. Në vitin 2024, eksportet e industrisë tekstile dhe të lëkurës arritën në 518.5 milionë dollarë. Përfaqësimi i lartë prej rreth 93% është në prodhimin lon, dhe vetëm 7% është në prodhimin klasik. Gjithashtu shifrat tregojnë se kjo industri tradicionale kontribuon mbi 10 për qind në prodhimin e përgjithshëm industrial dhe kjo degë dikur konsiderohej një motor serioz i ekonomisë vendase.

“Mungesa e fuqisë punëtore dhe kostot e larta në tregun vendas janë arsyet pse industria tekstile po bëhet jokonkurruese. Edhe çmimet e shërbimeve tona jashtë vendit nuk po rriten aq ndjeshëm sa paga minimale, e cila është 58 përqind e mesatares, e ka bërë një pjesë të madhe të industrisë së veshjeve të pafitueshme. ” , thekson Angel Dimitrov, njëherësh edhe kryetar i Organizatës së Punëdhënësve.

Sipas tij, njerëzit në Gjermani po e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë produkte tekstili, gjë që ndikon drejtpërdrejt në porositë. Ai thekson se kjo ndikon drejtpërdrejt në të gjitha fabrikat tekstile në vend, të cilat po zvogëlojnë numrin e punëtorëve për të zbutur situatën. Statistika tregon se mbi 40 për qind e totalit të eksporteve shkojnë në Gjermani apo nga afër 7.8 miliardë euro eksport bile afër 3.7 miliardë shkojnë në ekonominë më të madhe evropiane , dhe kjo është veçanërisht e theksuar në sektorin e tekstilit, pasi më shumë se 60 për qind e eksporteve tona të tekstilit shkojnë në Gjermani. Andaj edhe zhvillimet në ekonominë e atjeshme, pasiguria rreth situatës në Ukrainë, rritja e çmimeve të energjisë po ndikojnë në rënien e kërkesës në Gjermani . Kjo drejtpërdrejt do të thotë një ulje të porosive dhe ndikon edhe te numri i punëtorëve në industrinë tekstile.

Sektori i tekstilit me vite po përballet gjithashtu me mungesë të fuqisë punëtore, produktivitet të ulët dhe kosto të larta që e bëjnë atë të pakonkurrueshëm për bashkëpunim me partnerë të huaj…

Kriza në Gjermani reflektohet në punën e kompanive tekstile maqedonase që tradicionalisht janë të lidhura me këtë treg dhe varen nga porositë e partnerëve gjermanë. Kriza në industrinë tekstile vendore u fuqizua me pandeminë dhe vazhdoi me krizën energjetike dhe luftën në Ukrainë. Më të prekurat janë industritë e veshjeve që nuk janë të pajisura shumë teknologjikisht. Zgjidhja qëndron në investimin në teknologji dhe rritjen e produktivitetit, në mënyrë që prodhimi i vazhdueshëm të mos jetë e vetmja mundësi. Sipas statistikave për korrikun, numri i të punësuarve në industri është ulur me 4 për qind në 12 muajt e fundit. Në prodhimin e tekstileve, rënia është 3.3 për qind, në prodhimin e veshjeve numri i të punësuarve është ulur me mbi 9 për qind dhe në prodhimin e lëkurës me mbi 14 për qind. Këta janë sektorë në të cilët paguhen disa nga pagat më të ulëta. /Koha/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments