Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë më shumë që të kënaqen iniciativat e pavarura.” Ky ishte reagimi i kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj komentit të iniciativave qytetare të pavarura, që pavarësisht uljes së numrit të nënshkrimeve, për zgjedhjet lokale të ardhshme nuk ndihen të barabartë me partitë e tjera.“Realisht nuk e di se çfarë mund të bëjmë ne si Qeveri më shumë se kaq, që disa njerëz t’i kënaqim, pra të plotësojmë kërkesat e tyre. Tani, nëse keni shumë nënshkrime, ishin shumë, nëse keni vetëm dy nënshkrime, ishin pak, le të thonë çfarë duhet të bëjmë dhe ne do ta bëjmë. Unë me të vërtetë nuk mund të kuptoj disa njerëz”, tha Mickoski.
Edhe pse vendimi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve thotë se të pavarurit do të marrin pjesë me dy nënshkrime të mbledhura, ata janë ende në procedurë për të formuar parti politike. Thonë se vendimi përmban pasiguri juridike, sepse për këtë nuk ekziston ligj dhe për këtë arsye, opsioni më i sigurt është të formojnë një parti.
“Përveçse KSHZ mund ta tërheqë vetë këtë që ka vendosur tani, sepse nuk ka bazë ligjore në Kodin Zgjedhor, nuk ekziston asnjë prag, nuk ekzistojnë as ato dy nënshkrime, as një mijë, as fare, dhe ekziston rreziku që, pasi të kalojnë zgjedhjet, madje edhe KSHZ të lejojë të kalojnë zgjedhjet kështu, të mos tërheqë afatet; ekziston rreziku, për fat të keq, që mandatet tona të fituara në këtë mënyrë të sfidohen dhe të përballemi me rrezik real për t’i humbur mandatet pas zgjedhjeve”, tha Dragana Velkovska, Qyteti i Gjelbër Human.Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të hënën miratoi Rregulloren e re, sipas së cilës për kandidatët e pavarur do të nevojiten dy nënshkrime për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. U krijua kaos pasi udhëzimi paraprak u anulua, duke e bërë të paqartë se sa dhe cilat nënshkrime duhet të mblidhnin të pavarurit. Po ashtu, këtë fundjavë dështoi edhe përpjekja në Kuvend për të miratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor.