Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit për të drejtat e njeriut konstaton shkelje serioze të të drejtave të punëtorëve në Maqedoni, duke theksuar se sindikatat nuk kanë qasje në zonat ekonomike të lira, shkruan PressOnline.al.
Sipas raportit, sindikatat në vend mbështeten në anëtarësim vullnetar, ndërsa aktivitetet e tyre financohen nga kuotizacionet. Aktualisht, vetëm rreth 22 për qind e të punësuarve – kryesisht në administratën publike – janë anëtarë sindikatash. Përfaqësuesit sindikalë, me përjashtim të disa sindikatave degëzore, kanë theksuar se shpesh janë të ekspozuar ndaj ndikimeve politike dhe të punëdhënësve, ndërsa një gjykatë kompetente mund t’i ndalojë aktivitetet e tyre nëse konsiderohen “kundër Kushtetutës dhe ligjit”.
Raporti vëren gjithashtu se edhe pse ligjërisht lejohet, “asnjë sindikatë nuk funksionon brenda zonave ekonomike të lira”.Këtë e konfirmon edhe kryetari i LSM, Slobodan Trendafilov, i cili për “Sloboden Peçat” thotë:
“Problemi është i madh në kompanitë ku nuk ka sindikatë. Thjesht përballemi me rezistencë nga vetë menaxherët dhe neve si sindikalistë nuk na lejohet hyrja në ato kompani. Me vështirësi arritëm të jemi prezentë në dy-tre kompani që punojnë në Zonat Ekonomike. Ne praktikisht as që e dimë sa punëtorë ka në këto kompani, të cilëve patjetër u nevojitet ndihma sindikale.”
Për këtë arsye, një nga kërkesat kryesore të sindikatave përfshirë në draftin e ri të Ligjit për Marrëdhënie Pune është që çdo kompani me mbi 30 të punësuar të jetë e detyruar të nënshkruajë kontratë kolektive, e cila do të hapte dyert për më shumë të drejta të punëtorëve.
Në raport theksohet edhe problemi me të ashtuquajturat “sindikata të verdha” të krijuara nga punëdhënësit, që sipas Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), e vendos Maqedoninë e Veriut ndër vendet me shkeljet më sistematike të të drejtave të punëtorëve. Në Indeksin Global të të Drejtave të ITUC, vendi ynë është renditur në kategorinë e katërt – që përfaqëson shtetet me kushte më të këqija për punëtorët.
Raporti i DASH vlerëson se edhe pse ligjet ekzistojnë, zbatimi i tyre mbetet i pjesshëm dhe shpesh punëtorët hezitojnë të ankohen nga frika e hakmarrjes, ndërsa ankesat zakonisht paraqiten përmes përfaqësuesve sindikalë. (PressOnline.al)