Ambasada austriake dhe përfaqësuesi i saj ambasadori në Maqedoninë e Veriut, Georg Vutsas kërkojnë zëvendësimin e gjykatësve, prokurorëve, por edhe noterëve dhe përmbaruesve, që janë përgjegjës për zvarritjen e procesit të marrjes së borxhit të një kompanie maqedonase ndaj një kompanie austriake, që është investitor në vend.
Situata është ndërlikuar, dhe kompania austriake nuk po arrin të marrë borxhin, pasi që kompania maqedonase e ka transferuar pronën në emër tjetër dhe tani borxhi nuk mund të arkëtohet.
Bëhet fjalë për kompaninë “AMMA import export gmbh” me seli në Hohenems të Austrisë, e cila merret me tregti me shumicë dhe shpërndarje të produkteve bujqësore dhe e cila sipas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar kërkon që të marr borxhin në vlerë prej 4.5 milionë eurove nga kompania “Dena Product Import Eksport Veles”.
Ambasada Austriake thekson se Atanas Kostov, pronar i kompanisë maqedonase DENA PRODUCT Import Export Veles, pjesën më të madhe të kompanisë ia ka transferuar kompanisë GLOBAL TRADE DMM DOOEL Valandovo, në pronësi të bashkëshortes së tij Emilia Zaeva Kostova, e cila është e afërme e ish-kryeministrit Zoran Zaev.
“Shumica e aseteve të tyre ia transferuan GLOBAL TRADE DMM DOOEL Valandovo, (GLOBAL) një kompani e ndërlidhur në pronësi të Emilia Zaeva-Kostova, gruaja e Atanas Kostov dhe kushërira e ish-kryeministrit Zoran Zaev”, thekson ambasada,duke shtuar se kjo kompani ka bërë manipulime të ndryshme, pa asnjë përgjegjësi ligjore.
Ambasada austriake në vend pyet e ka quajtur skandaloz veprimin injorues dhe manipulues të institucioneve kur bëhet fjalë për drejtësi dhe sundimin e ligjit, në mbrojtje të investimeve austriake.
Ai tregon për manipulime në Kadastrën Qendrore dhe përmban akuza për Këshillin e Prokurorëve Publikë, Prokurorinë Publike Republikane dhe Prokurorinë e Lartë Publike Shkup për shkak të mosveprimit në lidhje me rastin, si dhe kërkohet ndërrimi i gjykatësve dhe prokurorëve publikë.
“Pse një investitor austriak duhet të punësojë tre firma ligjore dhe të dorëzojë mbi një duzinë dokumente ligjore dhe propozime për njohjen e një vendimi arbitrazhi në Maqedoninë e Veriut? Si mund të manipulohet me një kadastër qendrore, me një regjistër publik zyrtar? Si mund të vazhdojnë këto procedime kur për këtë çështje ka padi civile dhe hetime penale në vazhdim? Pse institucionet kompetente në vend, mbi të gjitha, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokurori Publik Republikan, Prokurori i Lartë Publik në Shkup, nuk janë aktive dhe nuk hetojnë menjëherë”, thuhet në letrën e ambasadës.
Ambasada e Austrisë fton të gjitha mediat përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që më 10 korrik në orën 12 të mesditës të jenë dëshmitarë të ankandit publik në ambientet e ekzekutorit Angel Kostadinovski në Kavadar.