Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nëse në maj nuk mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë për përbërjen e re të Kuvendit do të votohet në pranverë vitin e ardhshëm. Mickoski thotë se çështja e zgjedhjeve të parakohshme varet nga votimi i koalicionit të ri të mundshëm qeveritar.
“Nëse kanë 61 deputetë, që do të votojnë, atëherë automatikisht do të thotë që nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare në maj, sepse kjo Qeveri, siç është, e ka shumicën”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski përsëriti se është i gatshëm për zgjedhje në maj, duke shtuar se zgjedhjet nuk organizohen në verë. Sipas tij, nëse ikin këto termine, më së miri do të ishte që zgjedhjet të mbahen së bashku me zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm, madje të formohet një qeveri teknike 11 muajsh nga tani.
“Nëse organizoni zgjedhje të parakohshme parlamentare në vjeshtë, le të themi në tetor ose nëntor, ndërsa disa muaj më vonë janë zgjedhjet presidenciale, lind pyetja nëse kjo është sjellje e përgjegjshme dhe nëse Maqedonia është një vend aq i pasur që mund të shpenzojë disa herë dhjetëra milionë euro për fushata elektorale”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE.
Mickoski paraprakisht paralajmëroi se në fillim të shkurtit do të ketë votim mosbesimi ndaj Qeverisë. Ai shtoi se votën e mosbesimit do ta mbështesin, siç tha, deputetët e inkurajuar të mazhorancës dhe më pas do të mbahen zgjedhje të parakohshme. Por asgjë nga kjo nuk ndodhi. VMRO-ja për situatën e këtillë tha se deputetët e pakënaqur të mazhorancës kanë marrë kërcënime dhe shantazhe për të vazhduar mbështetjen e qeverisë. Partitë e mazhorancës në pushtet, nga ana tjetër, nuk kanë ndryshuar qëndrim për organizimin e zgjedhjeve parlamentare së bashku me zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. /Alsat.mk