1.1 C
Tetovo
E shtunë, 14 Dhjetor, 2024
BallinaLajme112-vjetori i Pavarësisë, Blinken uron Shqipërinë

112-vjetori i Pavarësisë, Blinken uron Shqipërinë

Urime për 112-vjetorin e Pavarësisë i kanë ardhur popullit shqiptar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në një mesazh të publikuar nga ambasada amerikane, Sekretari Blinken vlerëson raportet shumë të mira mes Shqipërisë dhe SHBA.

“Marrëdhëniet e ngushta midis kombeve tona janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike dhe një dëshirë të ndërsjellë për paqe dhe siguri. Shqipëria i ka pasqyruar këto vlera nëpërmjet mbështetjes së saj të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar rus, udhëheqjes së saj në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe angazhimit të saj të palëkundur ndaj sigurisë kolektive të NATO-s. Ne vlerësojmë thellësisht mikpritjen dhe ndihmën e Shqipërisë si mikpritës i përkohshëm për aleatët tanë afganë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë, thekson në mesazhin e tij, Sekretari Blinken.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin me padurim partneritetin tonë të vazhdueshëm në ndjekjen e prioriteteve të përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të forcuar ligjin e së drejtës. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

Më tej, zyrtari i lartë amerikan nënvizon vijimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve.

“Jam i bindur se lidhjet e forta mes popullit shqiptar dhe atij amerikan do të vazhdojnë të zhvillohen ndërsa punojmë së bashku për tregtinë dhe investimet, diversifikimin e energjisë së rinovueshme dhe integrimin më të ngushtë të të gjithë rajonit. Vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë në këto përpjekje do të forcojë Shqipërinë, marrëdhëniet tona dypalëshe dhe vlerat e përbashkëta që ne kremtojmë. I uroj popullit të Shqipërisë një festë të gëzuar të Pavarësisë”.

Ambasada e SHBA-së ka uruar festën e Pavarësisë së Shqipërisë me anë të një videoje, ku një punonjësi i saj që është duke mësuar shqip, këndon himnin e flamurit.

Pavarësinë e Shqipërisë e uroi edhe misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, në mesazhin e tij u shpreh se: “Hapja e negociatave të anëtarësimit për grup-kapitullin e parë mbi themelorët këtë vit është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në familjen e Bashkimit Evropian. Shumë sfida janë përpara, por BE-ja është e përkushtuar të qëndrojë në krah të Shqipërisë në çdo hap”.

Klan News

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments