Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) përmes një konference ka kërkuar nga dy ekipet e kualifikuara në Ligën e Parë, Shkëndija e Haraçinës dhe Skopje, të kryejnë procedurën e licencimit. Në këtë konferencë vazhdoi edhe përplasja ndërmjet FFM-së dhe Shkëndijës së Tetovës, transmeton Portalb.mk.
“Shkëndija nga Tetova nuk ka regjistruar një stadium të ri për sezonin e ri, pavarësisht faktit që stadiumi i tyre po rinovohet. Ne paralajmëruam mbështetje prej 700,000 eurosh për ndërtimin e tribunave në Tetovë. Megjithatë, mora përgjigje nga një person në administratën e Shkëndijës, disa herë, në takime të përbashkëta, se nuk kanë nevojë për ndihmë dhe nuk kam ndërmend t’i lus askënd”, tha kryetari i FFM-së, Masar Omeragiç.
Ai kërkoi nga Shkëndija e Haraçinës dhe Skopje të pajisjen me licencën. Për herë të parë në Ligën e Parë u kualifikua Shkëndija e Haraçinës, ndërsa ndeshjet pritet t’i zhvillojë në stadiumin e Çairit.
“Ne u dërguam letra Skopjes dhe Shkëndijës së Haraçinës që ata duhet të marrin një licencë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të luajnë në elitën e futbollit vendor. Ne nuk po bëjmë pyetje këtu, këto janë rregullat që duhen respektuar”, tha Omeragiç.
Ndryshe, sponsori i KF Shkëndijës sot (5 qershor) ka kërkuar që vendimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) të rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht. Ata thonë se, KF Shkëndija konsiderohet si një nga klubet e pakta në vend që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe në përputhje të plotë me të gjitha obligimet sportive dhe financiare. FFM i kundërpërgjigjet Shkëndijës, duke deklaruar se nuk do të vazhdojë më si deri tani.
Kujtojmë se Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) i ka vendosur gjobë drakoniane Klubit të Futbollit Shkëndija për shkak të ngjarjeve në finalen e Kupës, të cilën skuadra nga Tetova e humbi ndaj Sileksit me rezultatin 0:1. FFM e gjobiti Shkëndijën me 105.000 euro dhe e përjashtoi nga ndeshjet e kupës për sezonin e ardhshëm.
