BallinaLajmeURRRA ,por...Rruga Tetovë–Prizren nuk ndërtohet me slogane politike. Një video nuk ndërton...

URRRA ,por…Rruga Tetovë–Prizren nuk ndërtohet me slogane politike. Një video nuk ndërton një rrugë: Ku janë tenderi, projekti dhe buxheti?

www.telegrami.mk

VLEN po përpiqet ta shesë si sukses një projekt që ende ngre shumë pikëpyetje. Një buldozer në terren nuk është dëshmi se ka nisur ndërtimi i një rruge strategjike.

Ku është projekti përfundimtar? Ku është tenderi publik? Ku është kompania e përzgjedhur sipas procedurave ligjore? Ku janë fondet e miratuara dhe buxheti i siguruar për realizimin e plotë të rrugës Tetovë–Prizren?

Pa këto elemente, çdo deklaratë për “fillimin e punimeve” rrezikon të mbetet një shfaqje mediatike dhe jo një proces real ndërtimi. Qytetarët nuk kanë nevojë për video propagandistike me makineri, por për dokumente zyrtare, kontrata të nënshkruara dhe afate konkrete realizimi.

Nëse VLEN pretendon se ka nisur një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore shqiptare, atëherë le t’i publikojë të gjitha dokumentet: projektin teknik, procedurën e tenderimit, kontratën me kompaninë fituese dhe burimin e financimit. Vetëm atëherë mund të flitet për një investim serioz.

Përndryshe, një buldozer i vetëm nuk ndërton një rrugë. Ai mund të shërbejë vetëm si dekor elektoral, ndërsa qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë, ligjshmëri dhe llogaridhënie për çdo denar të parasë publike.Retorika politike nuk e zëvendëson transparencën institucionale. VLEN flet për “projekte reale”, por projektet reale maten me dokumente, procedura ligjore dhe financim të siguruar, jo me slogane.

Nëse rruga Tetovë–Prizren është vërtet prioritet strategjik, atëherë qytetarët meritojnë përgjigje të qarta: a është miratuar projekti ekzekutiv? A është zhvilluar procedura e tenderimit? Cila kompani është kontraktuar? Sa është vlera e investimit dhe nga cili buxhet do të financohet? Cili është afati i përfundimit?

Pa këto përgjigje, pretendimi se “ka filluar realizimi” mbetet më shumë deklaratë politike sesa provë e një investimi të konsoliduar.

Po aq i pabazuar është edhe pretendimi se “Tetova po zhvillohet me projekte reale”. Një projekt nuk vlerësohet nga konferencat për shtyp apo videot në rrjetet sociale, por nga kilometrat e përfunduar, nga kontratat publike, nga mbikëqyrja profesionale dhe nga rezultatet që qytetarët i shohin e i përdorin.

Askush nuk është kundër rrugës Tetovë–Prizren. Përkundrazi, ajo është një projekt me rëndësi të madhe për rajonin. Por pikërisht sepse është një projekt strategjik, ai nuk duhet të përdoret si mjet propagande para se të plotësohen të gjitha procedurat ligjore dhe financiare.

Qytetarët nuk kanë nevojë të zgjedhin mes propagandës së djeshme dhe propagandës së sotme. Ata kanë nevojë për qeverisje me transparencë, dokumente publike dhe institucione që japin llogari. Vetëm atëherë mund të thuhet se një premtim është shndërruar në projekt, e një projekt në vepër të përfunduar…

www.telegrami.mk

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments