Substanca “kodeinë”, e cila është një nga përbërësit e disa barnave kundër dhimbjeve që shiten pa recetë në farmaci, do të detektohet nga testet e shpejta që i ka siguruar policia për skrining të shoferëve, konfirmuan nga MPB për Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Kjo pyetje parashtrohet sepse në vendet e rajonit testet e shpejta për zbulimin e substancave psikoaktive, të cilat i përdorin punonjësit e policisë, të prodhuara nga një prodhues krejtësisht i ndryshëm, jo ai nga i cili MPB i ka blerë testet për tregun në Maqedoni, tregojnë ndjeshmëri tepër të madhe, e për këtë arsye u merren patentat e shoferit dhe pas grilave përfundojnë edhe persona që kanë marrë barna kundër dhimbjes së kokës ose që marrin barna me recetë për një gjendje të përhershme mjekësore.
“Duke e pasur parasysh faktin se për nga struktura e saj kimike dhe grupi farmakologjik kodeina është opiat, këto teste për skrining, sipas specifikimit të prodhuesit, do të detektojnë kodeinë me një prag zbulimi prej 12 nanogramësh për mililitër”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Testet e shpejta të zbulimit të drogës përmes pështymës, të cilat i ka blerë MPB e Maqedonisë janë jashtëzakonisht të ndjeshme. Punonjësit e policisë do t’i mbajnë ato në xhepa dhe do të kenë të drejtë t’i përdorin për shoferët e dyshimtë sipas vlerësimit të tyre të sigurisë.
Një test kushton vetëm 218 denarë, ndërsa janë porositur 10 mijë copë dhe ato do të mbërrijnë në gjysmën e parë të muajit gusht. Ata detektojnë amfetaminë, metamfetaminë, opiate (morfinë, heroinë), ekstazi (MDMA), sedativë dhe THC në marihuanë.
Por, nga MPB sigurojnë se rezultati i testit të shpejtë do të duhet të konfirmohet me një metodë konfirmuese.
Laboratori i toksikologjisë nuk është i akredituar”
Profesori nga Klinika e Toksikologjisë, Andon Çibishev, tha se rezultati me metodë konfirmuese mund të fitohet vetëm për 30 minuta.
Por, një koleg i tij i punësuar në të njëjtën klinikë na tha se laboratori i kësaj klinike nuk është i akredituar, gjë që mund të mundësojë që rezultatet të kontestohen në gjykatë.Sa i përket pyetjes se sa kohë do të kalojë nga testi i shpejtë deri në konfirmimin e rezultatit nga spitali, ju informojmë se pas kryerjes së testit të shpejtë për analiza me një metodë konfirmuese nevojiten mostra biologjike si gjaku, urina etj. Në varësi të asaj se nëse është kryer një kundërvajtje dhe/ose një vepër penale, në procedurë mund të përfshihet edhe Prokurori publik, i cili do ta diktojë dinamikën e veprimeve të mëtejshme”, thanë nga MPB.
Nga MPB shtojnë se është janë të përfshirë në realizimin e mundësisë së kryerjes së analizave të tilla konfirmuese me kapacitetet e veta.
Kohëzgjatja midis testit të skriningut dhe analizës konfirmuese përcaktohet nga ndryshimet në faktorët e lartpërmendur. Marrja e mostrave biologjike nga subjekti tek i cili testi i skriningut është pozitiv do të kryhet pa vonesë pas një testimi të tillë pozitiv, shtojnë nga atje.
Teste të shpejta për skrining ka pasur edhe në të kaluarën”
Avokati Janaki Mitrovski tha se testet e shpejta për skriningun e substancave psikotropike janë përdorur edhe në të kaluarën, por janë hequr shpejt nga përdorimi sepse nuk mund të përcaktohej saktësisht nëse personi që e drejtonte automjetin ishte nën ndikimin e substanvace në kohën e drejtimit të automjetit, apo kishte konsumuar substanca psikotropike për një periudhë më të gjatë kohore.
“Kjo nuk është aq e thjeshtë. Nuk mund të punosh sipas një shablloni, por duhet të provosh nëse personi është nën ndikimin e alkoolit në momentin që është duke e drejtuar makinën, ndërsa kjo varet nga shumë faktorë, pesha, sa shpesh e konsumon, nëse është i përgjumur, e shumë faktorë që një test i shpejtë nuk mund t’i detektojë. Si avokat, unë do t’i kundërshtoj testet e tilla”, tha ai, dhe shtoi se kufiri i poshtëm për tetrahidrokanabinolin për testet konkrete është shumë i ulët.
Limitet e detektimit (vlerat cut off) për secilën prej këtyre drogave në testet e shpejta të cilat i ka blerë MPB-ja janë brenda kufijve të mëposhtëm: për tetrahidrokanabinolin 15 nanogramë për mililitër, për kokainën 20 nanogramë për mililitër, për amfetaminën 50 nanogramë për mililitër, për metamfetaminën 50 nanogramë për mililitër, opiatet 10 nanogramë për mililitër, benzodiazepinat 10 miligramë për mililitër dhe MDMA 50 nanogramë për mililitër.
Dëshmia e një eksperti të MPB-së
“Slloboden Peçat” e shqyrtoi dëshminë e një eksperti të MPB-së në një proces gjyqësor të vitit 2022 për vërtetimin nëse personi që drejtonte makinën ishte nën ndikimin e tetrahidrokanabinolit. Nga dëshmia e këtij eksperti në gjykatë del se në atë kohë, në vitin 2022, në Maqedoni nuk ka pasur asnjë metodë që mund ta vërtetonte me siguri nëse një person ishte nën ndikimin e tetrahidrokanabinolit në një moment konkret, ndërsa institucione të tilla ku kjo mund të vërtetohej me siguri ka pasur në Athinë dhe Nish.
Sipas dëshmisë së ekspertit në atë kohë nuk ka pasur as laborator në të cilin mund të vërtetohej përqendrimi i metabolitëve në urinë, gjë që do të tregonte se tetrahidrokanabinoli është përdorur në të njëjtën ditë.
Nga kompania “Viziomed”, e cila e fitoi tenderin e MPB-së për testet kineze nga marka “All test”, thanë të gjitha pyetjet të drejtohen te Ministria e Punëve të Brendshme dhe javën e kaluar thanë se testet ende nuk ishin dorëzuar.
