Të shtunën e ardhshme nis dhënia e provimeve eksterne të maturës për më shumë se 14.500 nxënës që përfundojnë arsimin e mesëm në vitin shkollor 2025/2026.
Në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Mesëm, këtë vit maturantët do të japin tri lloje provimesh: maturë shtetërore, maturë shtetërore profesionale dhe maturë shtetërore artistike.
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, nga gjithsej 14.587 nxënës të paraqitur për provimet e maturës, 12.184 janë regjistruar për maturë shtetërore, 2.276 për maturë profesionale shtetërore dhe 127 për maturë artistike shtetërore.Gjimnazistët japin vetëm maturën shtetërore dhe janë paraqitur 5.713 kandidatë. Nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike kanë mundësi të zgjedhin ndërmjet maturës shtetërore dhe asaj profesionale ose artistike.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniela Jovçevska-Mihajllovska, deklaroi se përgatitjet po zhvillohen sipas afateve të përcaktuara dhe se synimi është që të gjithë nxënësit të kenë kushte të barabarta dhe proces korrekt të testimit.
“Janë përgatitur teste të veçanta për secilin lloj mature, në bazë të programeve përkatëse të provimeve. Organizimi kërkon angazhim më të madh, por QShP është e gatshme t’i përgjigjet kësaj sfide të ri”, deklaroi ajo.
Si edhe vitin e kaluar, në shkollat që nuk kanë kushte të përshtatshme hapësinore, provimet do të zhvillohen në amfiteatrot e fakulteteve. Ndërsa shkollat që kanë kushte adekuate do t’i organizojnë provimet në sallat sportive, hollet dhe aulat e tyre.
Nga QShP rikujtojnë se në hapësirat ku do të zhvillohen provimet ndalohet përdorimi i telefonave mobilë dhe pajisjeve të tjera elektronike. Nxënësit janë thirrur të respektojnë rregullat dhe masat për zhvillimin e provimeve të maturës.
Provimi i parë ekstern, ai zgjedhor, do të mbahet më 6 qershor në ora 09:00. Kandidatët e maturës shtetërore do të japin provim në gjuhë të huaj ose matematikë, ndërsa ata të maturës profesionale do të zgjedhin mes anglishtes dhe matematikës. Për maturën artistike, zgjedhja është ndërmjet gjuhës angleze dhe historisë.
Për testin e gjuhës angleze janë paraqitur gjithsej 13.208 kandidatë, ndërsa për matematikë 1.173 kandidatë. Për provimin e historisë janë regjistruar 38 nxënës.
Provimi i detyrueshëm ekstern – gjuha amtare dhe letërsia – do të zhvillohet më 11 qershor për kandidatët e maturës shtetërore dhe më 12 qershor për kandidatët e maturës profesionale dhe artistike.
Gjuhë dhe letërsi maqedonase do të japin 9.810 nxënës, ndërsa për gjuhë dhe letërsi shqipe janë paraqitur 4.199 kandidatë. Gjuhën turke do ta japin 360 nxënës, ndërsa për gjuhën serbe janë paraqitur pesë kandidatë.
Për realizimin e provimeve do të angazhohen rreth 2.500 testues dhe afër 200 vëzhgues.
