S’ka masa të reja restriktive, Filipçe: Mjaftojnë masat aktuale anti-kovid

25

Ministria e Shëndetësisë nuk ka në plan të shtojë masat restriktive anti kovid. Edhe Komisioni për Sëmundje Infektive mbledhjen e së hënës ku duhej të shqyrtohej situata epidemiologjike e la për të martën. Kreu i dikasterit të Shëndetësisë Filipçe tha se masat aktuale të kombinuara me vetëdijen e qytetarëve janë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll valën e tretë të pandemisë.

Masat e tilla të balancuara si kufizimi i lëvizjes e kombinuar me përgjegjësinë individuale të njerëzve në disa qytete kanë dhënë rezultate. Madje edhe nuk kemi pasur rritje të dukshme të numrave të pozitivëve. Në disa shtete kishte masa të rrepta dhe nuk dhanë rezultat, duke u rritur shifrat e pacientëve. Argument tjetër, në këtë situatë kur shpërndarja e virusit është e gjerë vlerësojmë se këto masa janë të duhura – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Raportet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se vetëm për një javë janë shtuar 5 mijë raste aktive. Por, autoritetet shëndetësore thonë se nuk ka vend për panik. Të dhënat e ISHP-së tregojnë se edhe vdekshmëria është rritur në përqindje.

Në shtatë ditët e fundit rritja lineare ka shënuar për rreth 5 mijë më shumë raste aktive. Aktualisht janë rreth 19 mijë. Gjatë javës që lamë pas janë shënuar rreth 30 viktima në ditë, ndërkaq mesatarja e të shëruarve ka kaluar afërsisht 700 pacientë që kanë shpëtuar nga virusi korona – njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Përderisa masat mbeten të njëjta, shifrat janë në rritje edhe të pacientëve, të cilët kanë nevojë për kurim spitalor si pasojë e komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga virusi korona. Shifrat zyrtare thonë se në 24 orët e fundit vetëm në Shkup janë hospitalizuar 48 pacientë, ndërkaq 668 pacientë janë të shtrirë nëpër spitalet e kryeqytetit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në gjithë vendin, në kurim spitalor janë 1,537 pacientë të prekur nga CoVid-19, ndërkaq edhe rreth 300 shtretër janë të lirë.