www.telegrami.mk
A po kërkon Mickoski të krijojë një krizë politike për të mbuluar krizën ekonomike- bankrotin e shtetit, apo kemi të bëjmë me një skenar më të gjerë politik, ku edhe faktori shqiptar në pushtet ka rolin e vet?
Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se arsimi i lartë mund të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa në gjuhët e tjera vetëm arsimi fillor dhe i mesëm, nuk është një deklaratë e zakonshme. Është një deklaratë që prek drejtpërdrejt një nga çështjet më të ndjeshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: të drejtën e shkollimit universitar në gjuhën shqipe.
Por Mickoski duhet ta dijë se historia nuk fillon me ardhjen e tij në pushtet. Në vitin 2004, Kuvendi miratoi Ligjin për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Universiteti filloi punën në vitin akademik 2004/2005. Pra, shkollimi universitar në gjuhën shqipe nuk është ndonjë shpikje e sotme dhe as ndonjë privilegj që shqiptarëve ua dhuroi dikush nga mirësia politike.
Për më tepër, Marrëveshja e Ohrit kishte paraparë edhe financimin shtetëror të arsimit universitar në gjuhët e komuniteteve që përbëjnë të paktën 20 për qind të popullsisë.
Prandaj, kur Mickoski sot e hap këtë temë me interpretime të tilla, lind një pyetje legjitime: çfarë po kërkon të fitojë politikisht duke provokuar pikërisht aty ku shqiptarët kanë ndërtuar një të drejtë me shumë mund, sakrifica dhe përpjekje politike?
A mos vallë, përballë problemeve ekonomike, mungesës së rezultateve dhe përgjegjësisë për qeverisjen, Mickoskit i duhet një konflikt i ri politik dhe ndëretnik, që vëmendja publike të largohet nga gjendja reale e vendit?
Nuk përjashtohet as mundësia që kjo të jetë pjesë e ndonjë kalkulimi më të gjerë politik, madje edhe me ndonjë faktor shqiptar të interesuar që tensionet të rriten. Nuk kemi prova për një marrëveshje të tillë, por heshtja, sjellja dhe interesat politike të partnerëve të koalicionit meritojnë të analizohen.
Dhe këtu vjen radha e VLEN-it!
VLEN nuk mund të sillet sikur është opozitë ndaj deklaratave të kryeministrit, ndërkohë që është pjesë e qeverisë së tij. Nuk mund të marrë përgjegjësinë për pushtetin, por të mos marrë përgjegjësi për qëndrimet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët…
Mesut Shabani
Nëse Mickoski e ka gabim interpretimin kushtetues, ku është VLEN-i? Nëse e ka drejtimin politik të rrezikshëm, pse nuk e kundërshton me qëndrim të qartë? Apo për VLEN-in karriget qeveritare janë më të rëndësishme sesa të drejtat që pretendon se i përfaqëson?
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një krizë tjetër të prodhuar në tavolinat e politikanëve. Kanë nevojë për universitete funksionale, arsim cilësor, vende pune, investime dhe barazi reale.
Mickoski duhet ta kuptojë se shqiptarët nuk janë dekor kushtetues, ndërsa VLEN duhet ta kuptojë se nuk është futur në qeveri për të duartrokitur kryeministrin.
Nëse kjo është një lojë politike për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet ekonomike, atëherë le ta dinë të gjithë: me të drejtat e shqiptarëve nuk mbulohet asnjë bankrot ekonomik, asnjë dështim qeveritar dhe asnjë pazar politik!
P.S deklarata e Gjykatës Kushtetuese e RMV që hedh poshtë kërkesën e VMRO-DPMNE në vitin 2005 për heqjen e mësimit superior në gjuhën shqipe
https://ustavensud.mk/2005/07/1712003-0-0/
Mesut Shabani

